MaqedoniTop Lajme

Projektet artistike nga Republika e Shqipërisë prezantohen para studentëve të UT-së

Shpërndaje

Producenti i festivalit të filmit “Tirana 48 Hour 2021” z. Robert Aliaj (10 nëntor 2021), e vizitoi Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës. Me këtë rast ai para studentëve dhe stafit akademik të këtij fakulteti prezantoi qëllimin e këtij projekti – Platformën e Artit Bashkëkohor Harabel.

Fillimisht z. Robert Aliaj shprehu falënderime ndaj drejtuesve të Fakultetit të Arteve të UT-së për mikpritjen dhe mundësinë që i është ofruar që projekti i tij të prezantohet edhe para studentëve të Fakultetit të Arteve në Tetovë.

Më pas ai u fokusua te festivali i filmit “Tirana 48 Hour 2021” që do zhvillohet në Tiranë prej datës 26 deri më 28 nëntor të këtij viti. Sipas z. Aliaj ky është një projekt kulturor ndërkombëtar që organizohet në më shumë se 220 qytete të botës. Fokusi i tij përqendrohet tek filmi me metrazh të shkurtër, i cili kineastëve dhe amatorëve të rinj të filmit ua ofron mundësinë të shfaqin aftësitë e tyre në fushën e kinematografisë.

Ai më tej shtoi se secili prej ekipeve të kineastëve zgjedh me short një zhanër, një personazh, një objekt, një linjë dialogu dhe kanë 48 orë për të krijuar një film të shkurtër 4-7 minuta, që përmban elementet e caktuara. Pjesëtarët e ekipit do të marrin përgjegjësinë për zgjedhjen e një kasti aktorësh dhe ekipi teknikësh, për gjetjen e pajisjeve dhe çdo baze tjetër materiale të nevojshme për të krijuar një film brenda një fundjave. Ai më tej shtoi se çdo ekip, pavarësisht nga niveli i aftësive të tyre, ka të drejtë të marrë pjesë në këtë konkurs. Koha e shkurtër e realizimit të filmit do t’i vërë pjesëmarrësit në provë duke i nxitur ata të përqendrohen në krijimtarinë dhe punën në grup. Theksi vihet gjithashtu në formimin e grupeve me krijues lokalë dhe rajonalë duke lehtësuar krijimin e lidhjeve të reja dhe bashkëpunimin midis krijuesve të rinj nga e gjithë Shqipëria, Kosova apo Maqedonia.

Projekti do të zhvillohet i ndarë në katër faza, ndërsa të interesuarit për më shumë informata rreth këtij projekti mund të kontaktojnë organizatoren e këtij projekti, Platformën e Artit Bashkëkohor Harabel, në: e-mail: info(at)harabel.com.al dhe në Instagram: harabelcontemporary.