MaqedoniTop Lajme

Abazi: Hiqet nga rendi i ditës propozim vendimi për ndërrimin e emrave të rrugëve

Shpërndaje

Nënkryetarja e Qytetit të Shkupit, Bujare Abazi nga Aleanca për Shqiptarët sot njoftoi se pika e propozuar për tërheqjen e vendimit për ndërrimin e emrave të rrugëve (i miratuar më 30.03.2021) u hoq nga rendi i ditës në seancën e sotme të Këshillit të Qytetit të Shkupit që vijoi punimet deri në këto çaste.

Më poshtë e keni njoftimin e Bujare Abazit:

Të dashur qytetarë!

Me përgjegjësinë më të madhe që ndjej ndaj jush, dua t’u informoj se pika e propozuar për tërheqjen e vendimit për ndërrimin e emrave të rrugëve (i miratuar më 30.03.2021) u hoq nga rendi i ditës në seancën e sotme të Këshillit të Qytetit të Shkupit që vijoi punimet deri në këto çaste.

Dua të sqaroj edhe një herë se kjo pikë ishte propozuar vetëm për tu futur në rend dite dhe nuk kishte pasur asnjë vendim rreth të njëjtit. Qëllimi nuk ishte aspak ndryshimi i vendimit ose ndërrimi i emrave shqipe të rrugëve dhe shesheve, por gjetja e një zgjidhje për të tejkaluar ngërçin që e kanë shkaktuar qeverisja e kaluar lokale LSDM-BDI përmes miratimit të vendimit në kundërshtim me Ligjin për regjistrim dhe qeveria aktuale qëndrore LSDM-BDI përmes Regjistrit Qendror.

Si në shumë raste të tjera edhe në këtë rast, përbërja e kaluar e këshillit të Qytetit të Shkupit ka miratuar vendimin për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe urrave vetëm një ditë para fillimit të regjistrimit, ndërsa ligji për regjistrim ndalon sjelljen e vendimeve të tilla të paktën një vit para regjistrimit të popullsisë. Për këtë arsye, ky vendim edhe sot vazhdon të mos jetë i plotëfuqishëm, emrat e rinj të rrugëve nuk janë zyrtare dhe qytetarët vazhdojnë të funksionojnë në një kaos pasi emrat përdoren vetëm nga qytetarët, ndërsa institucionet ende i njohin emrat e vjetër. Kjo pasi Regjistri Qendror, duke u thirur në dispozitat ligjore nuk zyrtarizon vendimin e Këshillit të Qytetit të Shkupit, i miratuar nga përbërja e kaluar.

Që nesër, Regjistri Qëndror dhe Qeveria LSDM-BDI duhet të tregojnë se si do të tejkalojnë këtë ngërç dhe të japun llogari për mashtrimin që ju kanë bërë qytetarëve.

Ne si Aleancë për Shqiptarët duam të sigurojmë qytetarët në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti se asnjëherë, në asnjë pushtet ku do të qeverisim ne, nuk do të lejojmë të ndodhin padrejtësitë që kanë ndodhur në të kaluarën gjatë qeverisjes së partive të tjera shqiptare të cilat nuk kanë pasur as guximin dhe as dijen, të kundërshtojnë dhe pengojnë padrejtësitë.

Madje, ne do të zgjidhim edhe këtë ngërç të cilin e kanë krijuar pikërisht ata që sot tentuan të manipulojnë dhe mashtrojnë opinionin, por që gënjeshtrat e tyre shumë shpejtë ju dolën në shesh.