RajoniTop Lajme

Aeroportin e Sarandës s’e merr njeri përsipër! Dështon për herë të dytë tenderi 34 mln euro

Shpërndaje

Dështon për herë të dytë tenderi per dhënien me koncesion të aeroportit të Sarandës. Ministria e Infrastrukturës deklaroi se në garë nuk u paraqit asnjë ofertë, ndërkohë që vlera minimale e tenderit ishte 34,3 milionë euro.

Afati ishte 26 nëntori. Edhe tenderi i parë u anulua pikërisht sepse nuk kishte asnjë oferte, ndërkohë që qeveria në rihapje të garës lehtësoi disa kritere me qëllim tërheqjen e investitorëve. Koncesioni është 35-vjeçar dhe aeroporti është planifikuar të jetë i kategorisë 3C, me pistë 2200 metra.

Pritshmëritë sipas dokumenteve janë që në vitin e parë të operimit numri i pasagjereve të jetë 150 mijë në vit dhe sipas studimit pritet të numri i udhëtarëve të konsolidohet në mbi 700 mijë pasagjerë pas vitit të 10-të të operimit të koncesionit. Aeroporti i Sarandës do të jetë sezonal. Ai është planifikuar të ndërtohet 6 km larg qytetit të Sarandës, pranë rrugës nacionale, 20 m mbi nivelin e detit. Shqipëria ka aktualisht në funksion dy aeroporte, atë të Tiranës dhe Kukësit ndërkohë që kanë nisur punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Për aeroportin e Sarandës nuk dihet ende nëse do të rihapet gara, dhe nëse do të ketë rishikim të kushteve.