Haxhiu: Shkon në Qeveri projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se është proceduar për në Qeveri projektligji për themelimin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Haxhiu përmes një njoftimi në ”Facebook”, ka bërë të ditur se ky projektligj është punuar nga ekspertët më të mirë të fushës, ku përmban dispozita materiale dhe procedurale të cilat synojnë verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht.
Sipas Haxhiut projektligji garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare.
”Parandalimi dhe ndëshkimi i keqpërdorimit të të mirave publike, ka qenë dhe mbetet njëri ndër top prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe aprovimi e implementimi i këtij Ligji, është një hap tutje i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi. Falenderoj të gjithë anëtarët e grupit punues për kontributin që kanë dhënë në hartimin e këtij projektligji”, ka shkruar Haxhiu në ”Facebook”.
Së fundmi, raportimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në komisionin për legjislacion, patë ngjallur debat të nxehtë lidhur me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për pranimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në vendin tonë.