Kosova kurrë s’ka marrë leje nga KFOR-i as BE-ja për aksionet në veri
Policia e Kosovës nuk ka marrë asnjëherë leje nga KFOR-i dhe as Bashkimi Evropian (BE), për zhvillimin e aksioneve kudo në territorin e vendin, e specifikisht në veri.
Këtë e ka konfirmuar ish-drejtori i Policë së Kosovës, Rashit Qalaj në një intervistë për Ekonomia Online.
Ai thotë se Policia vepron sipas planeve operative të hartuara më herët, për të cilat vetëm e ka njoftuar KFOR-in, por jo që ka marrë leje të posaçme.
“Policia e Kosovës gjithmonë bën plane operative për implemntimin e urdhëresave varësisht për cilën fushë është”.
“Ne kemi pasur disa operacione së paku sa kam qenë unë drejtor për zbatimin e ligjit, urdhëresave të gjykatave dhe nuk kemi pas asnjëherë që absolutisht që ta pyesim askënd”.
“…mirëpo kur kemi filluar me operacion i kemi njoftuar sidomos pjesëtarët e KFOR-it, vetëm që të jenë në njohuri që është duke u kryer një operacion”.
“Po e përsërisë Policia e Kosovës kurrë nuk e pyet as KFOR-in as atëherë e besoj as tash e as Bashkimin Evropian”.
Edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, gjatë ditës ka thënë se asnjë marrëveshje në dialog s’ia ndalon Policisë së Kosovës vendosjen kudo në territorin shtetëror.
Ai në disa përgjigje ka folur edhe për zhvillimet e muajve më parë në veri të Kosovës, duke potencuar se asnjë marrëveshje dialogu s’ia ndalon Policisë së Kosovës vendosjen kudo në territorin shtetëror.