Kuvendi i PD/ Basha mesazh të prerë Berishës: Jashtë radhëve të PD ata që sfidojnë SHBA!

Shpërndaje

Kryedemokrati Lulzim Basha ka garantuar para delegatëve të pranishëm në Kuvendin Kombëtar të PD, por edhe para shqiptarëve, se Partia Demokratike nuk do të pranojë në radhët e saj elementë të krimit, apo njerëz që duan të sfidojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nënkuptuar këtu ish-kryeministrin Sali Berisha.

Nga podiumi i Kuvendit të PD, Basha tha prerë se partia e tij do të bindë shqiptarët se është partia që e bën dekriminalizimin dhe vettingun në politikë, duke nisur nga vetja.

“Kjo do të jetë garanci për një Shqipëri të lirë që di të votojë, të zgjedhë e di të përfaqësohet me dinjitet. Si do jetë PD sot, do jetë Shqipëria nesër. Nuk do lejojmë në PD elementë nga bota e errët e lidhjeve të krimit me biznesin, me politikën, apo organizatat kriminale. Kjo është një sfidë e madhe, por ne do të rritemi me këtë besim në mendje e zemër, pasi vetëm kështu shqiptarët do na besojnë, duke na parë se kush janë demokratët, kush jemi ne. Kjo është sfida jonë.

Kjo nuk është një histori e re e PD, por një avancim i historisë sonë. Ne jemi partia që kemi propozuar dekriminalizimin e politikës dhe së fundi vettingun për politikanët. Ne kemi përpara një sfidë të re, të bindim shqiptarët që jemi partia që i bën këto gjëra, jo vetëm i thotë, dhe i bën duke nisur nga vetja. Duke lënë jashtë radhëve tona ata që duan të sfidojnë SHBA për interesat e tyre personale.

Shqipëria sot vuan nga mungesa e lirisë ekonomike, vuan nga kapja e shtetit. Mungesa e lirisë ekonomike pengon qindra e mijëra iniciativa private, që ndihmojnë zhvillimin, varron mijëra ëndrra që duan të kontribuojnë, dhe i heq vendit mijëra mundësi zhvillimi dhe lë në treg vetëm interesat e një njeriu. Ne do ta ndryshojmë këtë. Kryeministri i ardhshëm i këtij vendi nuk do të jetë pronar i ideve tuaja, por garantues i tyre për të mirën e vendit. Askush nuk do ju ndal të bëni ëndrrat tuaja realitet. Askush nuk do ju pengojë të zhvilloni biznesin tuaj. Kjo është garancia më e madhe, që Shqipërinë do ta bëjmë bashkë. Unë do jem aty për të garantuar se askush nuk do ta prekë ëndrrën tuaj. Ne do ta shpëtojmë Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare”, u shpreh kryedemokrati Basha.