Pas dy javësh sërish rikthehet me pagesë parkingu në Tetovë
Pas dy javësh, parkingu me pagesë është rikthyer në Tetovë. Prej sot qytetarët duhet të paguajnë parkingun si më herët, nëpërmjet mesazheve të telefonit dhe kartelave. Edhe pse kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, gjatë prezantimit të programit dhe vendimet që do t’i merr në 100 ditët e para të qeverisjes së tij, ai tha se qytetarët nuk kanë nevojë të paguajnë për këtë shërbim deri në analizën e plotë të funksionimit të deritanishëm të ndërmarrjes së parkingut. Rikthimin e parkingut zonal, ndërmarrja e arsyeton me faktin se nga të hyrat e arkës do të bëhet pagesa e punonjësve në parkingjet e qytetit, si dhe mirëmbajtja e parkingjeve zonale në Tetovë.
Njoftimi i plotë:
Njoftojmë opinionin publik se pas ndërprerjes disa javore të pagesës së parkingjeve në Tetovë, me datë 01.12.2021 përsëri do të fillojë funksionimi i parkingut me pagesë. Prolongimi disa javorë i pagesës erdhi për arsye të detektimit të problemeve që ka kjo ndërmarrje, dhe sipas inspektimeve tona ne kemi detektuar shumë parregullësi të cilët tanimë janë të zgjidhura.
Të ardhurat e gjeneruara nga kjo ndërmarrje do të shërbejnë për pagat e të punësuarve, për mirëmbajtjen e parkingjeve dhe për investime të reja që qytetarët të kenë kushte sa më të mira dhe të ndihmojmë në maksimum komunikacionin në qytet.
Gjithashtu ju njoftojmë se së shpejti do krijohen edhe parkingje dhe hapsira të reja.
NP “Parkingjet e Qytetit”.