20 persona privohen nga liria për tregti të paligjshme të drogës
Task Force edhe gjatë fundjavës aktivisht kundër tregtisë së palejuar të drogës: 20 persona privohen nga liria
Nga 2 deri më 4 tetor 2026, pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes aktiviteteve të koordinuara të ekipit të punës – Task Force, vepruan në 13 raste të lidhura me tregtinë e palejuar të drogës, në territorin e disa Sektorëve për Punë të Brendshme dhe Qendrave Rajonale për Çështje Kufitare.
Në kuadër të aktiviteteve të ndërmarra janë realizuar disa kontrolle dhe bastisje të personave, automjeteve, banesave dhe ambienteve të tjera, me ç’rast është sekuestruar një sasi më e madhe e lëndëve narkotike, ndërsa 20 persona janë privuar nga liria, mes tyre edhe dy shtetas të huaj – nga Polonia dhe Çekia.
Gjatë fundjavës, në territorin e SPB Strumicë, në njërin prej rasteve, punonjësit e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 59 bimë marihuane me peshë të përgjithshme prej rreth 680 kilogramësh, ndërsa në një rast tjetër është gjetur dhe sekuestruar një valixhe e madhe udhëtimi e mbushur me marihuanë. Në territorin e SPB Shkup, gjatë bastisjeve të kryera në tri lokacione të cilat i ka përdorur një person, janë sekuestruar tetë qese me rreth 800 gramë marihuanë, ndërsa personi është privuar nga liria.
Në territorin e SPB Veles, gjatë bastisjes së shtëpisë dhe kontrollit të personit, janë sekuestruar 29 qese të vogla me gjithsej 15 gramë kokainë, 14 gramë substancë me ngjyrë kafe dhe rreth 5.000 euro. Në kuadër të aktiviteteve të Departamentit për Goditjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, janë realizuar bastisje në katër lokacione, me ç’rast dy persona janë privuar nga liria, ndërsa janë gjetur dhe sekuestruar rreth 200 gramë kokainë, 505 mililitra vaj hashashi dhe 4,58 gramë marihuanë.
Për aktivitetet e ndërmarra do të vijojnë kallëzime penale përkatëse.
Këto janë rezultate konkrete të punës së bashkërenduar të punonjësve policorë në terren dhe vazhdim i veprimeve të intensifikuara kundër personave dhe strukturave kriminale të përfshira në prodhimin dhe tregtinë e palejuar të lëndëve narkotike.
Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me aktivitetet e intensifikuara për luftimin e tregtisë së palejuar të drogës dhe zbulimin e personave të përfshirë në këtë lloj kriminaliteti.

