Zelensky i përgjigjet Trumpit: Shkojmë në zgjedhje nëse Rusia pranon armëpushim 60-ditorë
Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky deklaroi se vendi i tij do të organizojë zgjedhje të reja me kusht që Rusia të pranojë një armëpushim prej dy muajsh.
Donald Trump të shtunën kërkoi largimin e Volodomyr Zelensky, të cilin e kishte sulmuar hapur për sulmet me dron ukrainas në rafineritë ruse të naftës.
“Unë mendoj se është koha që Ukraina të ketë një president të ri,” u tha presidenti amerikan gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke akuzuar Kievin se ka rritur çmimet e naftës në Amerikë përpara zgjedhjeve të Kongresit duke sulmuar objektet ruse të naftës.
Zelensky sot tha se “u takon vetëm ukrainasve” se kë do të zgjedhin si udhëheqës të tyre dhe shtoi se vetë Putin do të dëshironte të shihte një ndryshim në krye të Ukrainës.
“Ju lutemi thoni Putin të na jep dy muaj, 60 ditë armëpushim të plotë, 60 ditë dhe ne do të organizojmë zgjedhje”, tha Zelensky në një intervistë për ABC “This Week”.
Ai gjithashtu theksoi se është më e lehtë të fajësosh Ukrainën për karburantin më të shtrenjtë “kur e gjithë bota e kupton se çmimet po rriten për shkak të luftës në Lindjen e Mesme”.
Më herët gjatë ditës, presidenti ukrainas përsëriti se Ukraina është e gatshme të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse me kusht që Moska të ndalojë së synuari termocentralet e Ukrainës dhe rrjetin energjetik në të njëjtën kohë.

