Kuvendi i Kosovës miraton në parim buxhetin e vitit 2027, në vlerë prej 4 miliardë e 270 milionë eurosh
Kuvendi miratoi në parim Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, në vlerë prej 4 miliardë e 270 milionë eurosh
Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti sot seancën plenare, të drejtuar nga kryetarja Albulena Haxhiu dhe pjesërisht nga nënkryetari Ardian Gola.
Fillimisht, deputetët miratuan plotësimin e rendit të ditës me disa pika, që përfshinin shqyrtimin e projektligjeve për ratifikimin e marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare, si dhe çështje që lidhen me sektorin e energjisë. Ndërkaq, nuk kaluan dy mocionet për heqjen e pikave të caktuara nga rendi i ditës.
Seanca vijoi me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare, në të cilat kryeministri Albin Kurti dhe anëtarë të kabinetit qeveritar iu përgjigjën deputetëve.
Pas miratimit të mocionit për shmangien nga afati procedural i paraparë me Rregulloren e Kuvendit, deputetët miratuan Projektligjin nr. 11/L-30 për Ratifikimin e Konventës për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja në Çështje Civile apo Tregtare; Projektligjin nr. 11/L-31 për Ratifikimin e Protokollit për ndryshimin e Marrëveshjes mbi Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe Projektligjin nr. 11/L-35 për Ratifikimin e Konventës për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës.
Tutje, kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, gjatë prezantimit dhe arsyetimit të Projektligjit nr. 11/L-028 për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, theksoi se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është hartuar mbi bazën e qëndrueshmërisë ekonomike dhe fiskale.
Ai bëri të ditur se buxheti i planifikuar për vitin 2027 arrin vlerën prej 4 miliardë e 270 milionë eurosh, që paraqet një rritje prej rreth 200 milionë eurosh krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2026, përkatësisht 300 milionë euro më shumë në raport me buxhetin fillestar të po këtij viti.
“Nga ky buxhet, 908 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt për financimin e komunave. Kjo përbën nivelin më të lartë të financimit komunal deri më sot dhe pasqyron rritjen e vazhdueshme të granteve qeveritare, si dhe mbështetjen për ofrimin e shërbimeve publike sa më afër qytetarëve”, tha kryeministri Kurti.
Në këtë buxhet, shtoi ai është paraparë gjithashtu edhe rritja e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përputhje me kërkesat e paraqitura nga vetë ekipet mbrojtëse.
Kryeministri Kurti më pas foli për pesë kapitujt kryesorë, të cilat përbëjnë shtyllat kryesore të planifikimit buxhetor për vitin e ardhshëm.
Në kapitullin e parë, ai u ndal te pagat dhe mirëqenia e punonjësve publikë, duke theksuar se është planifikuar pagesa e pagës së 13-të. Krahas kësaj, kryeministri Kurti bëri të ditur se nga 1 korriku i vitit 2027, koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro.
Sa i përket kapitullit të dytë, kryeministri Kurti përmendi mbështetjen më të madhe për familjet dhe fëmijët, duke e veçuar këtë fushë si një ndër prioritetet e buxhetit për vitin e ardhshëm.
Në kapitullin e tretë, kryeministri Kurti foli për shërbimet publike dhe shëndetësinë, ndërsa në kapitullin e katërt u ndal te investimet kapitale dhe transformimi i infrastrukturës. Ndërkaq, në kapitullin e pestë, kryeministri Kurti përmendi aviacionin, turizmin dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë kuadër, ai veçoi si një ndër nismat e reja të projektbuxhetit edhe themelimin e një kompanie kombëtare ajrore.
Deputeti Enver Haliti, në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, shprehu përkrahjen për Projektbuxhetin e vitit 2027, duke e cilësuar atë si një dokument që ndërthur zhvillimin ekonomik me mirëqenien sociale, investimet publike me forcimin e shërbimeve, si dhe përgjegjësinë fiskale me nevojat konkrete të qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij, Haliti theksoi se ky projektbuxhet reflekton programin qeverisës dhe prioritetet e tij përmes vendimeve konkrete.
Ai vlerësoi se mbështetja për këtë projektbuxhet bazohet në synimin për të siguruar zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale dhe shërbime më të fuqishme publike, duke ruajtur njëkohësisht përgjegjësinë fiskale me nevojat konkrete të qytetarëve.
Deputeti Mërgim Lushtaku, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, duke folur për Projektbuxhetin për vitin 2027, ngriti pikëpyetje lidhur me realizimin e investimeve kapitale, përmbushjen e zotimeve të Qeverisë dhe ndikimin që rritja e buxhetit do të ketë në mirëqenien e qytetarëve.
Ai theksoi se buxheti, i cili kap vlerën prej rreth 4 miliardë e 270 milionë eurosh, nuk duhet të vlerësohet vetëm në bazë të shumës së përgjithshme, por mbi të gjitha nga rezultatet konkrete që sjell për qytetarët.
Ndër tjerash, deputeti Lushtaku vuri në pikëpyetje nëse rritja e buxhetit po reflektohet edhe në përmirësimin e kushteve të jetesës, duke përmendur pagat, pensionet, çmimet e produkteve ushqimore dhe faturat e larta të energjisë elektrike.
Deputeti Lumir Abdixhiku, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, kritikoi qasjen buxhetore të Qeverisë, duke paralajmëruar se rritja e vazhdueshme e çmimeve dhe shtimi i nevojës për ndihma financiare mund të krijojnë një cikël të pafavorshëm ekonomik.
Në gjithë, këtë spirale, ai tha se do të mbesim pa investime, për të cilat ka shumë nevojë Kosova.
“Dhe mos më keqkuptoni. Kjo kritikë vjen nga unë dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që për synim programor kishim dhe kemi koeficientin 150. Pra, ambicia jonë për pagat është edhe më e lartë. Por ambicia për investime është shumëfish më e lartë. Dhe po, mund të bëhen të dyja. Edhe ndihma edhe investime. Por fillimisht shumë më shumë investime se sa ndihma”, tha Abdixhiku, duke shtuar se nuk ka sektor, nuk ka fushë, nuk ka drejtim, që nuk ka nevojë për investime sot në Kosovë.
Deputetja Teuta Haxhiu, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës, theksoi se Projektbuxheti për vitin 2027 është konsumues dhe jo mjaftueshëm zhvillimor.
Ajo përmendi se qytetarët e vendit po përballen me rritje të çmimeve dhe inflacion, ndërsa pjesa më e madhe e të hyrave buxhetore sigurohet nga tatimet.
Haxhiu kritikoi edhe mënyrën se si është planifikuar rritja e koeficientit të pagave për punëtorët në sektorin publik, e cila pritet të hyjë në fuqi nga korriku i vitit 2027, duke shtuar se rritja do të duhej të zbatohej nga 1 janari, në mënyrë që punonjësit të përfitojnë gjatë gjithë vitit.
Duke folur për shpërndarjen e mjeteve për komunat, ajo tha se ndarjet nuk janë të barabarta dhe nuk marrin parasysh nevojat e qytetarëve.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq theksoi se ky projektbuxhet nuk parasheh asnjë projekt kapital për komunitetin serb. Ndërkaq, deputetja e Grupit Parlamentar Multietnik, Emilia Rexhepi, kërkoi që në projektbuxhet të përfshihen zona të reja ekonomike, si dhe investime konkrete që do të ndikonin në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për ndarjet buxhetore, u zhvillua debat parlamentar, në të cilin morën pjesë deputetë nga grupe të ndryshme parlamentare dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, për të shprehur qëndrimet dhe vlerësimet e tyre lidhur me prioritetet dhe ndarjen e mjeteve buxhetore për vitin e ardhshëm.
Pas përfundimit të debatit, Kuvendi i Republikës së Kosovës me 61 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim miratoi në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027.
Në vazhdim të seancës, pas kalimit të mocionit për shmangien nga afati procedural i paraparë me Rregulloren e Kuvendit, propozuar nga kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, deputetët miratuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat emergjente për furnizimin me energji elektrike, si dhe Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë.
Kuvendi, po ashtu miratoi në parim Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë; Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Kurse, pikat tjera të mbetura të kësaj seance, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se do të shqyrtohen të enjten tjetër.

