RajoniTop Lajme

“Rasti i Kumanovës”, Vjosa Osmani: Hetimi ndërkombëtar mund ta zbardh rastin në tërësi

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në paraqitjen e përbashkët para mediave me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski është pyetur për rastin gjyqësor “Lagjja e trimave” apo Rasti i Kumanovës.

E pyetur se a e njeh si presidente aktakuzën në këtë rast, Osmani tha se duhet të pritet që rasti të përfundojë në Gjykatën Supreme në Shkup, kjo me qëllim që më pas të dihet se çfarë hapash të ndërmerren.

Ka kujtuar premtimin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev që të ketë hetim ndërkombëtar për këtë rast dhe ka shprehur gatishmëri që edhe Kosova të ndihmojë në hetimet shtesë.

Nuk ka komentuar më shumë, pasi siç tha Osmani, gjithçka do të ishte deklaratë politike dhe nuk do të ndihmonin rastin në institucionet gjyqësore.

“Mendoj që duhet të presim që procesi të përfundojë në plotëni dhe po ashtu që të zbardhen të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin. Për momentin, rasti ndodhet në Gjykatën Supreme dhe pasi të japë verdiktin Gjykata Supreme edhe juridikisht ezaurohen të gjitha mjetet juridike sa i përket proceseve gjyqësore brenda Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, ne e kemi parë që edhe vetë kryeministri Zaev ka shprehur gatishmërinë se mund të ketë hetim ndërkombëtar apo edhe përfshirje të ekspertëve nga jashtë të cilët do t’i ballafaqojnë provat në këtë rast dhe do ndihmojnë që të zbardhin rastin deri në fund. Në këtë drejtim, Republika e Kosovës do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme dhe besoj që duhet që bashkëpunimi që ekziston për momentin, ndërmjet dy ministrive të drejtësisë të shtyhet përpara që për këto çështje të bisedohet në mënyrë institucionale. Çka do që do të themi jashtë saj, mendoj se do të ishin deklarata politike që nuk i ndihmojnë asnjë rasti që është një institucionet e drejtësisë”, tha Osmani, transmeton TV21.