Maqedoni

Shkarkohet drejtori i “Tetova Transport”, e paqartë mënyra e funksionimit të autobusëve

Shpërndaje

Filluan të qarkullojnë përsëri autobusët e transportit publik të Tetovës pasi dje ndaluan së funksionuari dhe u pozicionuan në parking. Është shkarkuar edhe drejtori i ndërmarrjes publike “Tetova Transport” Darko Spirovski. Këtë e njoftoi sot kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Qytetarët ende nuk e kanë të qartë mënyrën e qarkullimit të autobusëve, pasi mënyra e funksionimit të tyre ndryshon shpesh, shkruan Portalb.mk.

Kasami sot tha se dha urdhër të shkarkohet drejtori, të caktohet drejtor tjetër ushtrues detyre dhe nga i njëjti do të pret raport se për çfarë bëhet fjalë.

“Informatat të cilat i kam edhe kjo ndërmarrje ka funksionuar mos të them jashtë ligjit, por jo në përputhje me ligjin sepse ndërmarrja ka funksionuar, ka gjeneruar të ardhura por nuk ka pasur të punësuar. Një ndërmarrje nuk mund të funksionojë pa pasur drejtor dhe të punësuar, kemi një ndërmarrje publike e cila funksionon pa i plotësuar kushtet elementare. Pres drejtori të cilin do ta caktojë të më japë raport për të cilën do të informoj opinionin.” tha Bilall Kasami.