RajoniTop Lajme

Abazoviç gjen mbështetje për një qeveri pakice

Shpërndaje

Vetëm disa muaj pas zgjedhjeve, maxhoranca në Malin e Zi është lëkundur.

Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS propozuan sot idenë e një qeverie pakice, që nuk do të kishte vend për partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe partinë më të fortë të koalicionit aktual, Frontit Demokratik (DF), parti pro-serbe.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviç, ka thënë se ky model është një zgjidhje e mundshme, por të cilën nuk do t’ia imponojnë askujt.

“Është koha që të zhbllokohet rruga për në Bashkimin Evropian. Nëse kjo situatë nuk mund të zgjidhet, zgjedhjet mbeten zgjidhje e qartë”, tha Abazoviç më 17 janar.

Nisma e Abazoviçit gjeti mbështetje edhe te partia e presidentit. Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, njoftoi se do të mbështesë çdo nismë që do të çojë në largimin e qeverisë aktuale. Mbështetje për një qeveri pakice treguan edhe Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe Partia Boshnjake.

Ndërkohë, i gjetur në vështirësi, kryeministri Zdravko Krivokapic tha sot se fajtorë janë disa liderë politikë, të cilët nuk duan të marrin përgjegjësi.