Ironizon Berisha: Lulzim Brava, politikani i vetëm që bën konferencë shtypi pa gazetarë dhe kamera
Sali Berisha, me anë të një postimi në Facebook, ironizoi deklaratën e sotme të Lulzim Bashës, duke u shprehur se “Lulzim Brava, nën panik dhe i barrikaduar në bunkerin e tij, bëri një konferencë shtypi pa gazetarë dhe kamera brenda”.
“Ky është politikani i vetëm në botë që del dhe flet me vete pasi askush nuk e beson më! Basha mund të delirojë dhe të mashtrojë se ai ka mbështetjen e 95% të shqiptarëve, 99% të amerikanëve dhe 110% të evropianëve, por askush nuk e kupton dot përse një politikan që pretendon që ka shumicën e dy kontinenteve, mbyllet me hekura dhe beton në një bunker”, shkruan ish-kryeministri i Shqipërisë në rrjetin social.
“Koha e tij mbaroi. Sot, i madh e i vogël brenda dhe jashtë Shqipërisë e ka të qartë që Lulzim Basha është “non grata” për të gjithë demokratët. Është i tillë sepse në 8 vjet u solli atyre vetëm humbje dhe dështim. Në 8 vjet shkeli dhe shiti sakrificat e tyre për të mbushur xhepat e tij dhe të familjarëve në pazare të pista me Edi Ramën! Dhe sot kur demokratët e kanë braktisur masivisht, mendon se do gjejë shpëtim në mashtrime dhe dyer të blinduara! Kjo është metamorfoza më e shëmtuar, por e merituar e një besëpreri që pasi ka shitur e tradhëtuar të gjithë demokratët për interesat e tij private, e sheh veten të braktisur brenda një bunkeri”, shton Berisha.
Sipas tij, “nesër është dita e lirisë dhe fundi i pengut të pabesë që ka 8 vjet që pasurohet mbi djersën, vuajtjet dhe humbjet e demokratëve”.