Kamberi kërkon rishikimin e vendimit të Qeverisë për hyrje-daljet kufitare

Shpërndaje

Masat e shtrënguara nga Qeveria e Kosovës, i ka komentuar edhe shefi i grupit parlamentar Lugina e Bashkuar, Shaip Kamberi, i cili është shprehur se ky vendim duhet të rishikohet nga Qeveria.

Kamberi ka thënë se masat e domosdoshme për mbrojtje nga Pandemia Covid 19 nuk duhet ta kufizojnë lirinë elementare të qarkullimit të lirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët, Kosovën e kanë destinacionin parësor.

“Vendimi i fundit i Qeverisë së Republikës së Kosovës për ta kushtëzuar hyrjen në territorin e RKS me dozën e tretë te vaksinës, apo me PCR test, po e vështirëson dukshëm lirinë e qarkullimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Praktikisht, shumë qytetarë e kanë të pamundur ta marrin dozën e tretë pa kaluar koha nga doza e dytë dhe po ashtu një pjesë e madhe nuk kanë mundësi financiare për t’u pajisur me PCR test për çdo udhëtim në Kosovë”, ka shkruar Kamberi përmes një reagimi në Facebook.

“Prandaj, ftojmë Qeverinë ta rishikojë vendimin”, shprehet ai.