MaqedoniTop Lajme

Në muajin mars pritet shpallja e rezultateve nga regjistrimi i popullsisë

Shpërndaje

Në muajin mars do të publikohen rezultatet nga regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në Maqedoni të Veriut. Enti i Statistikave është duke kryqëzuar të dhënat nga regjistrimi me gjendjen faktike në institucionet tjera. Zëvendësdrejtori Ilmi Selami thotë se si fillim ideja ishte që të publikohet vetëm numri i popullsisë, por dispozitat ligjore parashikojnë që rezultate të publikohen të plota, shkruan Alsat.

“Po punojmë edhe me institucionet tjera në përditësimin e të dhënave që kemi. Shpresoj se deri në afatin e paraparë me ligj pra në fund të marsit do të mbaron i gjithë procesi. Unë shpresoj se nuk do të shkon deri në fund të marsit dhe do t’i shpallim më shpejtë. Nuk bëhet fjalë vetëm për të dhëna të popullsisë, por edhe banesat dhe ekonomitë familjare. Ideja fillestare ishte që t’i japim vetëm të dhënat për popullsinë, mirëpo ligji parashikon që të dhënat të shpallen të tërësishme”- deklaroi Ilmi Selami, Zëvendësdrejtor i ESHS-së.

Kohë më të madhe merr përditësimi i të dhënave me deklarimet e qytetarëve të cilët janë regjistruar në diasporë.

“Gati se gjithçka është e gatshme vetëm po bëhet vërtetim i të dhënave në komunikim i të dhënave për t’i përditësuar. Një “centroid”, një shtëpi ose objekt duhet verifikuar në kadastër se a ekziston dhe në cilën kategori. Nëse është regjistruar nga Gjermania si e tillë, ne duhet ta vërtetojmë nëse është ashtu siç është deklaruar”- pohoi Ilmi Selami, Zëvendësdrejtor i ESHS-së.

Procesi i regjistrimit u realizur nga 5 deri me 30 shtator të vitit që lamë pas. Nga të dhënat fillestare sipas ESHS-së janë regjistruar: 1.832.696 qytetarë, 568.175 amvisëri, 837.255 banesa, ndërsa 204.805 persona janë vetë regjistruar nga diaspora. Nuk dihet numri i saktë i personave të cilët nuk janë regjistruar, por Enti i Statistikave beson se ka më pak se 10 mijë të tillë. Regjistrimi i popullsisë u realizua pas plotë 20 viteve, pasi paraprakisht regjistrimi i vitit 2011 u anulua për shkak të parregullsive.