Nuk parashihen tatime të reja për këtë vit! Besimi: Nuk do të ketë tatime për t’i mbuluar shpenzimet nga kriza energjetike
Në vitin 2022 nuk janë paraparë tatime të reja dhe ngarkesa tatimore, siguron ministri i Financave, Fatmir Besimi. Nuk është planifikuar as rritje e tatimeve për t’i mbuluar shpenzimet që dalin nga kriza energjetike, kurse një gjë e tillë nuk është paralajmëruar as me Strategjinë për reforma në sistemin tatimor, pohon Besimi, duke shtuar se për çdo ndryshim do të konsultohet me odat përkatëse.
“Sa u përket tatimeve në suaza të Strategjisë, nuk ka asgjë që mund t’ju them se ka ndryshim të normave, tatime të reja ose heqje taksash. Strategjia po punon mbi bazë të qëllimeve që janë vendosur brenda Strategjisë. Nuk ka rritje të tatimeve në vend për t’i mbuluar shpenzimet nga kriza energjetike. Në Buxhetin për vitin 2022 janë paraparë mjete për këtë”, deklaroi Ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Drejtoreshae Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sanja Llukarevska i hedh poshtë zëra se do të tërhiqet projekti “TVSh-ja ime”, me të cilin deri më tani qytetarëve u janë kthyer rreth 3 miliardë denarë. Ajo theksoi se DAP-i këtë vit do të angazhohet më shumë në pjesën e pasurimit joadekuat të disa qytetarëve.
“FMN-ja këmbëngul që të angazhohemi maksimalisht në pjesën e vërtetimit të pasurimit joadekuat të personave të caktuar fizikë, në pjesën e pagesës së detyrueshme të të ardhurave tatimore, dhe kuptohet se e gjithë kjo do të rrumbullakoset me digjitalizimin e proceseve të cilat do të zhvillohet me ritëm ende më të shpejtë”, u shpreh Sanja Llukarevska – Drejtoreshë e DAP-it.
Ajo që tanimë dihet është se para deputetëve në Kuvend janë dy tatime të reja – tatimi i luksit, i cili parasheh të paguhet taksë trefish më shumë për pronë e cila nuk përdoret, kurse në shtëpinë ligjvënëse është bllokuar edhe taksa ekologjike prej 3,5 denarëve për derivatet.