Policia sekuestron 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave në Mitrovicë dhe 3 në Podujevë (Foto)
Policia e Kosovës ka sekuestruar 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave në Mitrovicën e Jugut.
Siç njofton Policia sonte në orët e pasdites kanë realizuar një bastisje në një banesë në rrugën ‘Fan Noli’ në Mitrovicën e Jugut.
Njoftimi nga Policia:
Policia në Mitrovicën e Jugut sekuestron 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave
Mitrovicë, 6 janar 2022
Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut, nën dyshime të arsyeshme për veprimtari të kundërligjshme në orët e pasdites së sotme kanë realizuar një bastisje.
Si rezultat i hetimeve është arritur të lokalizohet dhe identifikohet lokacioni, me ç’rast bastisja është realizuar në një banesë në rrugën ‘Fan Noli’ në Mitrovicën e Jugut. Gjatë bastisjes për veprimtari të kundërligjshme janë gjetur dhe sekuestruar 67 aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave.
Për pajisjet e gjetura dhe veprimtarinë e kundërligjshme hetuesit policor kanë identifikuar personin e dyshuar.
Lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e sekuestruara është njoftuar prokuroi i çështjes i cili ka sugjeruar që për veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin dhe pajisjet e sekuestruara të merren autoritetet doganore.
Përveç kësaj bastisjeje, Policia sonte ka sekuestruar edhe tri aparate të prodhimit të kriptovalutave në Podujevë.
Njoftimi nga policia:
Sekuestrohen tre aparate për prodhimin e kriptovalutave
Me datë 06.01.2022 rreth orës 16:00, njësitet nga Stacioni Policor i Podujevës së bashku me Njësitin e Reagimit të Shpejtë, kanë mbështetur ekipe të KEDS në Fsh. Surkish ku janë gjetur dhe sekuestruar tre aparate për prodhimin e kriptovalutave.
Marrë parasyshë procedurat ligjore lidhur me këtë rast janë njoftuar zyrtarët përgjegjës të Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta do të ndërmerren veprimet e mëtejme.