RajoniTop Lajme

Kurti: Marrëveshje për “Koalicionin Shqiptar” në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 25 tetor në Serbi.

Kurti tha se marrëveshja erdhi pas përpjekjeve për afrimin e qëndrimeve politike, duke e cilësuar bashkëpunimin si një zotim të përbashkët për përfaqësimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ai theksoi gjithashtu nevojën për përfaqësim të garantuar të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë dhe për mbrojtjen e të drejtave, identitetit dhe mirëqenies së tyre.

Postimi i plotë:

Sot, në Zyrën e Kryeministrit, përfaqësuesit e subjekteve politike pjesëmarrëse nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja arritën marrëveshjen për listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Pas bisedave dhe përpjekjeve për t’i afruar qëndrimet, vullneti për bashkëpunim mori formën e një zotimi të përbashkët. I falënderoj kryetarët e subjekteve politike: Shaip Kamberin (PVD), Visar Memetin (APN), Nagip Arifin (PD), Agim Sabedinin (PDSH), Shqiprim Musliun (LPD), Sami Salihun (LR), Armend Aliun (AL) dhe Naser Azirin (UDSH), për angazhimin dhe gatishmërinë që, përtej dallimeve, të gjejnë te njëri-tjetri bashkëbiseduesin dhe të ndajnë përgjegjësinë ndaj qytetarëve.
Falënderoj gjithashtu kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepin; kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinanin; kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin; përfaqësuesin nga Medvegja, Bajram Mustafa e Arben Feratin; dhe përfaqësuesen nga Pazari i Ri, Amina Nurën, për kontributin e tyre në këtë përpjekje të përbashkët. Marrëveshjet marrin jetë përmes besimit që ruajmë, fjalës që mbajmë dhe punës që bëjmë së bashku. Përkushtimi në zbatimin e tyre është ai që ua jep vlerën me kalimin e kohës.
Bashkimi politik te Koalicioni Shqiptar sigurisht që nuk është i mjaftueshëm. Asimetria e të drejtave është po ashtu padrejtësi. Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse. Përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë si në Kosovë ashtu edhe në fqiun tonë verior, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat e tyre.
Të drejtat dhe identiteti janë themele të këtij angazhimi që e shoqërojnë përditshmërinë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ato mishërohen me mbrojtjen nga pasivizimi diskriminues i adresave, përfaqësimi i drejtë në institucione publike si dhe zhvillimi ekonomik. Gjuha e kultura, simbolet dhe kujtesa jonë janë pjesë e qenies sonë dhe e përgjegjësisë që kemi ndaj brezave që vijnë. Sepse brenda secilës prej këtyre kërkesave jeton një shpresë njerëzore, për të punuar, për të krijuar familje dhe për të ndërtuar një jetë me dinjitet në vendlindje.
Pavarësisht vështirësive dhe ndasive që e kanë shoqëruar këtë rrugë, besojmë se përgjegjësia e përbashkët mund të shndërrohet në punë të dobishme për qytetarët. Përfaqësimi i denjë kërkon këmbëngulje përballë padrejtësive, maturi në vendimmarrje dhe përkushtim ndaj nevojave të qytetarëve.
Republika e Kosovës do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, për të drejtat, identitetin dhe mirëqenien e tyre. Angazhimi ynë mbetet i vazhdueshëm për barazi, për dinjitet dhe për mundësinë që secili e secila ta ndërtojë të ardhmen në vendlindjen e vet.