Pronarja që refuzon ta ndryshojë pamjen e kioskës qe 20 vjet

Shpërndaje

Dikur ishte punëtore në “Rilindje” e punën e donte shumë. Megjithatë, erdhi momenti kur mbeti edhe pa atë punë, me ç’rast ia ofruan një kioskë në oborrin e objektit, të cilën e pranoi.

Që atëherë Sadete Krasniqi e ka ruajtur punën në të e madje edhe kioskën nuk ka pranuar ta ndryshojë tash e 20 vjet.

Edhe produktet që kjo kioskë i ofron janë ato që çdoherë janë ofruar aty.

Çamçakëz, cigare, shkrepëse e disa revista janë të ekspozuara në dritaret e saj. Ajo çfarë po mungon aty e edhe në të gjitha kioskat e tjera janë gazetat e shtypura.

Numra më të vjetër të disa prej tyre Krasniqi i ruan ende.

Edhe qytetarët kur kujtojnë kioskat, gazetat janë ato të parat që u vijnë në mendje.

Derisa në ato të rejat ofrohen shumë më shumë gjësende, duke filluar nga gjërat më të thjeshta e deri te lodrat për fëmijë, Krasniqi është e vendosur që t’i mbajë të njëjtat.

E, aty thotë se do të punojë tërë jetën e saj.

Frekuentimi i kioskës nga të tjerët është i vogël. Përpos atyre që shkojnë për t’u shërbyer me ndonjë gjë, ka shumë nga ata që e vizitojnë edhe për t’i kujtuar kohët e vjetra.