Zjarri që shpërtheu më 8 shtator në spitalin modular të Tetovës, mbeti pa u zbardhur
Në ditën e pavarësisë opinioni u trondit, nga informacioni për një zjarr që shpërtheu në Tetovë. U dogj spitali modular kundër Kovidit, në të cilin ishin shtruar 26 pacientë, shkruan Alsat.
Zjarri dogji gjithë spitalin për rreth 5 minuta, dhe disa nga pacientët e shtruar kanë arritur të shpëtojnë, me ndihmën e të afërmve të tyre që i kanë shoqëruar në spital.
Gjithçka ndodhi natën në orën 21:00. Thyheshin xhama për të shpëtuar jetë, dhe 14 persona, 12 prej të cilëve pacientë me kovid, nuk arritën të shpëtonin. Në terren menjëherë atë natë dolën organet hetuese, zyrtarë vendorë dhe qeveritarë.
“Nuk ka deklarata derisa punojnë… – Paraqitemi direkt nga Tetova. – … forenzikët, ekspertë. “Deklaratat e parakohshme mund të bëjnë problem”, kishte thënë Zaev.
Kryesia e shtetit njoftoi një hetim të shpejtë.
“Prokurori më tha se do t’u jepte afate shumë të shkurtra, ndoshta pesë ditë që çdo institucion të përgjigjej nga juridiksioni i tij. Pas marrjes së raporteve, ai do të dalë me raportin e tij përmbledhës në të cilin fillimisht do të shihet se cili është shkaku i zjarrit”, ishte shprehur Pendarovski.
Vetëm dy muaj më vonë, prokuroria doli me një version fillestar të zjarrit në spitalin modular. Raporti i krim-teknikës tregon se zjarri ndoshta është shkaktuar nga një kabllo zgjatuese e tejnxehur. Megjithatë, megjithëse ekspertët e mjekësisë ligjore gjermane inspektuan terrenin që në shtator, raporti i tyre mbi zjarrin ende mungon.
Ky raport është vendimtar për hetimin e prokurorisë, nëse do të hapë procedime penale. Sa janë të sigurta spitalet modulare po testohen edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila teston bombolat e oksigjenit. Pas zjarrit dhanë dorëheqje drejtorët e spitalit të Tetovës, si dhe ministri dhe zëvendësministri Venko Filipçe dhe Ilir Hasani. Dorëheqjet nuk u pranuan, por emrat e tyre nuk do të jenë në listën e zyrtarëve të ekipit të ri qeveritar.