A i ka Shqipëria kapacitetet për luftë? Flet kryeministri Rama
Kryeministri Edi Rama ka kujtuar stërvitjen ushtarake të NATO-s “Defender 2021” që zhvilluar vitin e kaluar në Shqipëri, vendosjen e Komandës së Forcave Speciale amerikane për Europën në Shqipëri, si dhe aeroplanmbajtësen Harry Truman për të siguruar ata që thonë se Shqipëria nuk i ka kapacitetet për luftë.
“Vitin e shkuar në Shqipëri u krye një stërvitje që ishte më e madhja e zhvilluar ndonjëherë në këtë pjesë të kontinentit Defender 2021, ku erdhën të gjitha vendet e NATO-s dhe kjo stërvitje do të kryhet dhe vitin e ardhshëm .Ne e kemi pozicionuar me gjithë hapat që kemi hedhur në marrëdhëniet bilaterale me SHBA-të, me gjithë strategjinë që kemi ndjekur në ndërtimin e pjesës së sipërme të kësaj marrëdhënieje që ka qenë shumë e mirë dhe më parë, por që ka kaluar në një nivel krej tjetër. Mos harroni që dokumentin e partneritetit strategjik me SHBA-të e firmosi kjo shumicë dhe Shqipërinë e kemi kthyer në pikë shumë nevralgjike të marrëdhënieve ushtarake bilaterale me SHBA-të dhe brenda vetë NATO-s.
Duke pasur në Shqipëri tanimë edhe komandën të forcave speciale për Europën, amerikane. Komanda e forcave speciale për Europën në Shqipëri do të thotë që këtu ne jo që vetëm që nuk jemi vetëm, por jemi nga më të fortët të pranishëm, duke shtrirë bashkëpunimin në nivelin e infrastrukturës me bazën ajrore. E fundit, besoj ju ka rënë në sy që para pak kohe këtu kishim në ujërat tona aeroplanmbajtësen Harry Truman, që është një aeroport ushtarak masiv në vete. Që do të thotë nuk kemi ne asnjë arsye të shqetësohemi nëse do të kemi apo nuk do të kemi kapacitet për t’u mbrojtur me të gjitha fuqitë e mundshme nga cilido, duke pasur në dispozicion arsenalin më të sofistikuar që ka sot bota, nuk ka asnjë dyshim”, deklaroi Rama.