RajoniTop Lajme

Abazoviç kryeministri i ri i vendit? Nisin bisedimet për qeverinë e re

Shpërndaje

Sekretarja e përgjithshme e Lëvizjes Qytetare Ura që drejtohet nga Dritan Abazoviç ka bërë të ditur se kanë filluar bisedimet mes partive të shumicës parlamentare për formimin e një qeverie të pakicës. Ajo theksoi më tej se bisedimet zyrtare do të mbahen përgjate ditëve në vijim dhe se Mali i Zi dhe qytetarët e tij nuk duhet të presin për të pasur në krye politikanë të cilët do t’i përfaqësojnë.

Kandidati kryesor për t’u zgjedhur në postin e kryeministrit është pikërisht politikani shqiptar, Dritan Abazoviç, i cili paraprakisht ka gjetur mbështetjen e partisë më të madhe opozitare që drejtohet nga presidenti Milo Gjukanoviç.

Kuvendi i Malit të Zi votoi të premten mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Zdravko Krivokapiç. Në votimin e mocionit morën pjesë 54 deputetë nga 81 që ka Kuvendi, nga të cilët 43 votuan pro dhe 11 të tjerë kundër.

Pro mocionit votuan të gjitha partitë opozitare të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Milo Gjukanoviçit dhe partitë e koalicionit të deritanishëm Lëvizja Qytetare Ura e drejtuar nga Dritan Abazoviç, i cili ishte edhe një nga iniciatorët e mocionit si dhe partia Civis.

Sipas Kushtetutës së Malit te Zi , Qeveria e Krivokapiç do të vazhdojë të qendrojë në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së Re.