Banesat në Kurbin nga qeveria turke, reagon kryetarja e Bashkisë: Vonesa e dhënies së çelësave sepse…
Kryetarja e Bashkisë Laç Majlinda Cara ka sqaruar përmes një postimi në Facebook arsyen se pse janë krijuar vonesa në dhënien e çelësave për banesat në Kurbin.
Banesat e dhuruara nga qeveria turke pas tërmetit, Cara thotë se do të jepen sapo të përfundojë kryerja e procedurave dhe tu jepet certefikata e pronësisë.
Postimi i plotë:
SQARIM PËR TË GJITHË PËRFITUESIT E NJËSIVE TË BANIMIT NË ZONËN 1/1 PËR ZHVILLIM-LAÇ
Marrë shkas nga shqetësimi i disa qytetarëve që janë përfitues të apartamenteve në kuadër të procesit të rindërtimit të zonës 1/1 për zhvillim, në Laç, në lidhje me vonesën e dorëzimit të çelësave të apartamenteve të përfituara prej tyre, sqaroj si më poshtë:
Pas marrjes në dorëzim të lagjes së re dhe inventarizimit të të gjithë pronës nga donatori (TOKI-Qeveria Turke) tek Enti Kombëtar i Banesave, i cili është njësi zbatuese për këtë zonë sipas VKM nr. 46, datë 22.01.2020, ky i fundit ka dorëzuar në Komisionin Shtetëror të Rindërtimit gjithë dokumentacionin përkatës dhe më pas ky Komision ka marrë Vendimin nr. 99, datë 04.02.2022, me të cilin i kërkon Këshillit të Ministrave kalimin në pronësi të gjithë apartamenteve Bashkisë Kurbin. Për këtë çështje, ditën e mërkurë, datë 9 Shkurt 2022, Këshilli i Ministrave merr vendim për kalimin e të drejtave mbi këtë pronë tek Bashkia Kurbin.
Vetëm pas daljes së këtij vendimi, Bashkia Kurbin bën dorëzimin e çelësave të apartamenteve tek banorët përfitues sipas listave të dala nga shorti publik për shpërndarjen e këtyre apartamenteve dhe kryen të gjitha procedurat administrative për hartimin e kontratës së dhurimit, ku çdo qytetar do të marrë certifikatën e pronësisë në emër të tij dhe do të ketë mundësinë ta trashëgojë atë pronë brez pas brezi.
Duke e mirëkuptuar padurimin tuaj për t’u rikthyer në ato apartamente aq të bukura dhe aq komode, sqaroj gjithësecilin prej jush se ndjekja me përpikmëri e procedurave administrative, të cilat marrin kohën e tyre, është në të mirë të të gjithë palëve të përfshira në këtë proces. Kam qënë në çdo moment deri më tani e do të jem gjithmonë krah çdo bashkëqytetari, por gjithësecili prej jush duhet të kuptojë se i gjithë ky proces ka qënë i jashtëzakonshëm, i panjohur më parë për të gjithë ne, dhe çdo gjë bëhet në të mirë të qytetarëve dhe përfitimit të pronës prej tyre sipas çdo rregulli e ligji të Republikës së Shqipërisë.