Bisedë telefonike Kovaçevski-Rutte: Hapja e negociatave me BE-në do të ketë ndikim në të gjithë rajonin
Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, përcjell TV21. Nga Shërbimi për shtyp pranë Qeverisë njoftojnë se Rutte ka uruar Kovaçevskin për marrjen e detyrës së kryeministri, ndërkaq kryeministri Kovaçevski ka njoftuar homologun e tij për dinamikën e re të bisedimeve me Sofjen zyrtare përmes komunikimit të hapur me kryeministrin bullgar Kiril Petkov.
“Gjatë bisedës telefonike, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se dialogu Shkup-Sofje do të ofrojë zgjidhje të pranueshme reciprokisht për çështjet e hapura për të dyja palët dhe se do të përshpejtojë vendimin për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE-në, e cila pritet të ketë ndikim pozitiv për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Qeverisë.