Maqedoni

Ligji për shtetësi, “shqiptarët akoma të rrezikshëm për shtetin”

Shpërndaje

Nga viti 2004 deri në vitin 2021, Ligji për shtetësi ka pësuar pesë herë ndryshime. Por edhe pas këtyre ndryshimeve, marrja e shtetësisë për shqiptarët problematizohet me kualifikimin “i rrezikshëm për shtetin”.

Nga viti 2002 deri kur po flasim, në 7 mandate qeveritare BDI është përfaqësuar me njeriun e dytë në MPB, ndërsa nga dhjetori i vitit 2016 deri në fund të muajit maj 2017 u përfaqësua me njeriun e parë në dikasterin e Brendshëm. Por sa shqiptarë u pajisën me shtetësi gjatë pushtetit të BDI-së, respektivisht gjatë kohës kur në MPB ishin: Hazbi Lika, Fatmir Dehari, Xhevat Buçi, Xhelal Bajrami, Zemri Qamili, Agim Nuhiu dhe Nazim Bushi?

Sipas të dhënave të cilat i ka siguruar televizioni Alsat, rezulton që nga viti 2002 deri në vitin 2006, mandati i parë i BDI-së në pushtet, 4.987 shqiptarë janë pajisur me shtetësi përmes natyralizimit, periudhë kjo kur Ligji për shtetësi kishte pësuar ndryshimin dhe plotësimin e parë. Gjatë mandateve nga vitit 2008 e deri në vitin 2021 shtetësi përmes natyralizimit kanë përfituar 6.536 shqiptarë. Për 14 vite pushtet proporcionalisht nënkupton që 466 qytetarë shqiptarë janë pajisur me shtetësi për çdo vit, numër ky i cili në raport me kërkesat e parashtruara është për 70 për qind më i vogël.

Gjatë periudhës së lartpërmendur, 8213 maqedonas janë pajisur me shtetësi përmes natyralizimit, ndërsa nuk dihet numri i qytetarëve nga etnitë rome, serbe, boshnjake, turke dhe të tjera./Alsat.mk