Paga mesatare në Maqedoni është 29.943 denarë, rritet për 5.8 përqind
Paga mesatare mujore neto e paguar për të punësuar në dhjetor të vitit të kaluar ishte 29.943 denarë, që është një rritje prej 5.8 për qind në krahasim me dhjetor 2020.
Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, rritja ka ardhur kryesisht nga rritja e pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjës në sektorët: Transport dhe magazinim me 13.1 përqind, ndërtimtari me 12.6 përqind dhe tregti me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave me 12.1 përqind.
Rritje e pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjës, krahasuar me muajin paraardhës, është shënuar në sektorët e mëposhtëm: Aktivitetet e pasurive të patundshme me 10.4 përqind, Veprimtaritë financiare dhe të sigurimit me 9.1 pëqind dhe Ndërtimtaria me 7.6 për qind.
Paga mesatare mujore bruto, paguar për punëtor, në dhjetor 2021, ishte 44.711 denarë, ndërsa është rritur për 5.9 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2020.Kjo vjen si pasojë e rritjes së pagës mesatare mujore bruto të paguar për punonjës në sektorët: Transport dhe magazinim me 12.9 përqind, Ndërtimtari me 12.5 përqind dhe Tregti me shumicë dhe pakicë; riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave me 11.8 përqind.
Rritje e pagës mesatare mujore bruto të paguar për punonjës, krahasuar me muajin paraardhës, është shënuar në sektorët: Aktivitetet e pasurive të patundshme me 9.9 përqind, Veprimtaritë financiare dhe sigurimet me 9.4 përqind dhe minierat dhe guroret me 7.4 për qind.