Pushtimi nga Rusia, Ukraina i drejtohet me një lutje të madhe Erdoganit
Ambasadori i Ukrainës në Turqi, Vasyl Bodnar, kërkoi ndihmë nga Turqia përmes kërkesës për mbylljen e Ngushticës së Dardaneleve pas futjes së trupave ruse në Ukrainë.
“Po i bëj thirrje administratës turke, ndihmojeni Ukrainën. Ne e kërkojmë mbylljen e Dardaneleve. Duam që të vendosen sanksione ndaj palës ruse. E kërkojmë konfiskimin e aksioneve të rusëve këtu”, shkroi ambasadori Bodnar në llogarinë e ambasadës ukrainase në Twitter.
Më herët këtë muaj, gjashtë luftanije dhe një nëndetëse ruse kaluan “transit” nëpër Ngushticën e Dardaneleve dhe Ngushticën e Bosforit drejt Detit të Zi për ato që Moska i quajti ushtrime detare afër ujërave të Ukrainës, shkruan Daily Sabah.
Sipas Konventës së Montreux-it të vitit 1936, Turqia, anëtare e NATO-s, e ka kontrollin e Ngushticave të Bosforit dhe të Dardaneleve, që e lidhin Detin e Zi me Detin Mesdhe. Ky pakt ia jep Turqisë autoritetin për ta rregulluar kalimin “transit” të luftanijeve dhe për t’i mbyllur këto ngushtica për luftanijet e huaja në kohë lufte dhe kur është e kërcënuar.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, citohet të ketë thënë të mërkurën se vendi i tij ka raporte të mira edhe me Ukrainën, edhe me Rusinë dhe se nuk mund t’i braktisë ato me asnjërin vend si dhe do të marrë masa që të sigurohet që marrëdhëniet të mbeten të paprekura.