Rinia nuk dyndet drejt Perëndimit vetëm për para
Shkruan: Arber Çeliku
Sot është një ditë e bukur me diell dhe, sigurisht, kjo të bën të ndihesh disi më hareshëm, më pozitiv. Sapo hyra në kafenenë time të zakonshme, për ta pirë kafen e mëngjesit, djelmoshat që shërbejnë aty, njëzëri më përshëndetën: “Mirëmëngjesi profesor! Mirë se na erdhe!”
I përshëndeta dhe unë gjithë shënd e verë. “Shumë të gëzuar më dukeni sot, bën ditë e bukur!”
Më i riu u ngut të ma sqaronte: “Më ka ardhur termini për në Ambasadën e Gjermanisë. Dhe të gjithë kolegët e mi janë në prirje, sapo t’i marrim vizat, një ditë më shumë nuk presim, do t’ia mbathim. Do të duhet ti të vish të punosh këtu”. Qeshën djelmoshat, qesha dhe unë. “Po shkoni shkaku i pagesës, apo si?!”, i pyeta unë. “Jo ore profesor, para kemi të gjithë shyqyr Zotit, por s’bëhet ky vend, të paktën, mos u shtir sikur nuk e di, pikërisht ti që këto gjëra i trajton në vazhdimësi”.
Nuk e zgjata më shumë, por mendje filloi të më bluajë vetvetiu teksa gjerbja kafen e mëngjesit.
Njoftësia në të gjitha poret e shoqërisë: në shkollim, në punësim, në gjyqësi, në prokurori, në polici, në biznes, degradimi shoqëror, institucional dhe ambiental, shkatërrimi i gjithçkaje, po jep efektin e vet.
Ne, që ende thirremi në vlerat kombëtare, në moralin e pastër të të parëve tanë, në traditat mijëvjeçare shqiptare, ne i tradhtuam këta të rinj, që sot, buzagaz, presin të na e kthejnë shpinën, pa dashur të na e thonë në sy idiotizmin tonë individual dhe kolektiv.
Mbase projekt i mirëmenduar nga profetët e rrejshëm, por të gjithë jemi fajtorë për këtë…