Shtetësia, lëndët mbeten në sirtaret e ASK-së

Shpërndaje

Agjencia për Siguri Kombëtare mbetet përgjegjësja kryesore për zvarritjen e procedurave për marrjen e shtetësisë së qytetarëve. Ministria e Brendshme thotë se pa marrë mendimet e ASK-së nuk mund t’u japin përgjigje përfundimtare qytetarëve që kanë dorëzuar kërkesa për shtetësi. Por i pyetur nëse do të kërkojnë përgjegjësi nga udhëheqësit e ASK-së për mosrespektim të ligjit, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski përgjegjësinë e drejtoi tek Qeveria, si kompetente ndaj ASK-së, shkruan Alsat.

“Agjencia për Siguri Kombëtare nuk është organ i MPB-së. Është shërbim i pavarur në kontroll të drejtpërdrejtë të Qeverisë dhe ata punojnë në bazë të procedurave që i kanë. Po ka më shumë kërkesa që presin kontrollet e sigurisë, thjesht ata duhet të kalojnë. Janë krijuar të gjitha parakushtet ligjore që të veprojë edhe Ministria e Punëve të Brendshme edhe organet tjera, jo vetëm Agjencia për Siguri Kombëtare, edhe Ministria për Ekonomi, Ministria e Financave, Agjencia për Rini dhe Sport varësisht prej kërkesës japin mendimet e tyre”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Por edhe nga Qeveria heshtin për përgjegjësinë e Agjencisë për Siguri Kombëtare. Të pyetur nëse do të kërkojnë llogari nga ASK për mosrespektim të Ligjit për shtetësi dhe sa ankesa nga qytetarët dhe institucionet kanë pranuar për ASK-në, tash katër ditë Qeveria nuk u përgjigjet pyetjeve.

A do të kërkoni përgjegjësi nga Agjencia për siguri për mosrespektim të Ligjit për shtetësi?
Sa ankesa keni pranuar nga qytetarët dhe institucionet tjera ndaj ASK-së?
Derisa Qeveria dhe institucionet tjera heshtin, të dhënat zyrtare të siguruara gjatë kësaj jave nga MPB, falsin se për momentin ASK mban në sirtar 2657 kërkesa për shtetësi, për të cilat deri në MPB vetëm duhet të japë vlerësim pozitiv ose negativ. Prej këtyre 1247 kërkesa për shtetësi janë dorëzuar që nga vitit i kaluar.

Gjithsej 2657 kërkesa për shtetësi

1247 të dorëzuara gjatë vitit 2021

Edhe pse sipas nenit shtatë të ligjit për shtetësi ASK duhet të japë mendim brenda gjashtë muajve. Sipas informatave të Alsat, numri më i madh i kërkesave të lartë përmendura janë dorëzuar në periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Në gusht të vitit të kaluar, hyri në fuqi Ligji i ri për shtetësi , i cili u mundëson qytetarëve të cilët kanë jetuar në Maqedoni edhe para vitit 1991 që vetëm me një dokument të mund të dëshmojnë për të marrë shtetësinë. Sipas të dhënave zyrtare, prej në gusht 2021 dhe deri në janar 2022 në MPB janë dorëzuar rreth 360 kërkesa për shtetësi të cilat ende janë në procedurë. /Alsat.mk