Maqedoni

Të premten mbahet takimi i parë për rritjen e pensioneve

Shpërndaje

Rritja e rrogës minimale dhe rritja e paralajmëruar e pensioneve nuk do të tërheqë ribalanc të Buxhetit, sigurojnë nga Qeveria. Për të premten është paralajmëruar edhe takimi i parë për rritje të pensioneve, ndërsa zgjidhja do të sillet përmes dialogut me të gjitha palët e përfshira.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi dje në konferencë për shtyp, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se për rritjen e rrogës minimale e cila duhet të jetë 18.000 denarë janë siguruar mjete nga Buxheti, ndërsa për pensionet ka para në Fondin për sigurim pensional dhe invalidor.

“Edhe për rrogën minimale edhe për pensionet nuk duhet të bëhet ribalanc. Ato tashmë janë planifikuar në Buxhet. Për pensionet, Fondi i sigurimit pensional invalidor të Maqedonisë (FSPIM) ka siguruar mjete për rritje të mundshme. Nuk duhet të shqetësohemi se do të marrim nga diku për t’u dhënë pensionistëve”, tha Bytyqi.

Sipas Bytyqit, raportet financiare të Fondit për sigurim pensional dhe invalidor për vitin e kaluar, si vit i pandemisë dhe krizës ekonomike, tregojnë se ka rritje të konsiderueshme të të ardhurave për shkak të lëvizjes së ekonomisë dhe të rrogave.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski paralajmëroi se të premten do të mbahet takimi i parë për mundësinë për ndryshim të metodologjisë për pensionet, e cila do të duhet të mundësojë rritje të qëndrueshme të pensioneve, por edhe se do të bëhen analiza për ndihmë financiare për pensionistët.

Pensionistët kërkojnë rritje të pensioneve duke pasur parasysh rritjen e shpenzimeve për jetë.

Paraprakisht, sindikatat kërkuan rritje të rrogës minimale në 18.000 denarë pas çka filluan negociatat në nivel të Këshillit ekonomik-social dhe u gjet zgjidhje e përbashkët për rritjen e rrogës minimale me subvencionim të kontributeve të dallimit nga 15.200 deri 18.000 denarë. Zgjidhja ligjore për rrogën minimale për momentin është në procedurë kuvendore.