Ulet interesimi për vaksinim, Ministria pa plan! Qytetarët më shumë vaksinohen për të udhëtuar
Pak qytetarë po presin për t’u vaksinuar në korridorin e Poliklinikës së Çairit. Nëse para disa muajve në ditë imunizoheshin rreth 1.000 qytetarë, tani brenda ditës vaksinohen rreth 200 persona, tregon mjekja Rejhan Ibrahimi.
“Tani gjatë 100 pacientë gjatë ndërrimit të parë, gjatë ndërrimit të dytë po ashtu kemi nga 100 pacientë, ndërsa gjatë verës kishte fluks të shtuar të pacientëve që vinin për t’u vaksinuar. Rreth 500 pacientë i kishim në një ndërrim, kështu që në total ishin rreth 1.000 pacientë. Interesimi më shumë ka qenë për dozën e tretë, pasi që ishin edhe disa restrikcione”, deklaroi Ibrahimi.
Qytetarët para kamerës së TV21 treguan se po vaksinohen për të udhëtuar.
“-Mirë po ndjehem.
-A do ta merrni edhe të tretën?
-Për të tretën do të mendohemi.
-E përse u vaksinuat, që të udhëtoni?
-Që të udhëtojmë.
-E për tu mbrojtur?
-Po edhe për tu mbrojtur”.
“-Po unë jam vaksinuar me dy nga Pfizer, ndërsa gruaja ime me dy kineze, mirëpo nëpër kufij nuk po ua pranojnë, ky është problem, ta shoh tani këtu se çfarë mund të bëj.
-Tani do ta merrni edhe dozën e tretë?
-Po gjithsesi prandaj kam ardhur”.
Përndryshe interesimi për t’u vaksinuar ka rënë dukshëm. Nëse krahasojmë të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, del se për një javë në mbarë vendin vetëm 3 mijë qytetarë janë vaksinuar me dy doza anti-kovid, ndërsa më shumë qytetarë janë imunizuar me dozën e tretë, edhe atë rreth 4 mijë.
Përndryshe Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, nuk parasheh fushatë ose vendosjen e ndonjë mase shtesë për nxitjen e vaksinimit, ndërsa javën e kaluar bashkë me krerët fetarë bëri apel për imunizim.