Bota

Vdes ambasadorja italiane në Australi pasi bie nga ballkoni i shtëpisë

Shpërndaje

Ambasadorja italiane në Australi, Francesca Tardioli, ka vdekur në Foligno të Italisë, ku ndodhej për disa ditë me pushime. 56-vjeçarja ka vdekur pasi ka rënë nga tarraca e shtëpisë së saj, ku në atë moment ndodhej e vetme. Një familjar që jeton në të njëjtin pallat ka dhënë alarmin dhe ka kërkuar ndihmë.

Ambasada italiane në Kanbera është në zi. “Vajtojmë vdekjen e parakohshme të ambasadores Francesca Tardioli”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit në rrjetet sociale.

Ministria e Jashtme italiane kujton gjithashtu diplomaten përmes një postimi në Twitter. “Me trishtim të pafund, Farnesina vajton vdekjen e Francesca Tardiolit, ambasadores së Italisë në Kanberra, dhe bashkohet me dhimbjen e të dashurve të saj. Ne do ta kujtojmë me dashuri për profesionalizmin e saj të admirueshëm dhe cilësitë njerëzore: diplomate dhe shërbëtore e madhe e shtetit”.

Mediat në Itali thonë se ky incident po hetohet nga policia.

“Lajm tronditës për ndarjen nga jeta të ambasadores Francesca Tardioli. Mike e dashur. Kolege brilante. Diplomate shumë e respektuar”, shkroi në Twitter ambasadorja e Australisë në Itali, Margaret Twomey. “Mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e saj”.

Twomey e përshkroi Tardiolin si një nga dhuratat më të mëdha të Italisë për Australinë.

Tardioli, e cila mbante postin e ambasadores që nga shtatori 2019, zotëronte rrjedhshëm gjuhën angleze dhe frënge dhe kishte njohuri të mira të gjermanishtes dhe spanjishtes. Ajo iu bashkua Shërbimit Diplomatik Kombëtar Italian në 1991. /Zëri