Erdogan: Po tentojnë të rrethojnë Turqinë, nuk do të qëndrojmë spektatorë!
Mes tensioneve që vijojnë në Lindjen e Mesme, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan lëshoi një paralajmërim të fortë për çdo shtet që, sipas tij, synon të cenojë sigurinë e Turqisë. Në fjalimin pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, ai tha se askush nuk duhet ta interpretojë qetësinë e Ankarasë si dobësi dhe se Turqia do t’i përgjigjet çdo hapi armiqësor ndaj saj.
“Qëndrimi ynë dinjitoz dhe gjakftohtë të mos e çojë askënd drejt ëndrrave të tjera. Në këto troje, të cilat i bëmë atdheun tonë duke dhënë dhe marrë jetë nën tingujt e shpatave, nuk do të lejojmë askënd të kryejë ‘operacione’. Po kështu, nuk do të qëndrojmë në tribuna si spektatorë përballë hapave armiqësorë në rajonin tonë që synojnë të rrethojnë Turqinë. Turqia nuk është kundër asnjë shteti, asnjë shoqërie, asnjë besimi apo kulture. As që mund të mendohet diçka e tillë. Por Turqia është kundër çdo paligjshmërie, çdo padrejtësie, çdo tiranie dhe çdo akti banditesk, pavarësisht se nga kush vjen, dhe kështu do të vazhdojë të jetë”, deklaroi Erdogan.
Edhe pse nuk përmendi ndonjë shtet konkret, deklaratat e presidentit turk vijnë në një moment kur rajoni po përballet me tensione të larta pas luftës mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa Turqia ka shtuar kontaktet dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë me aleatët e saj.
Erdogan u ndal edhe te pasojat ekonomike të konfliktit, duke thënë se rritja e çmimeve të naftës po godet ekonominë globale. Sipas tij, lufta e nisur nga “provokimet e Izraelit” nuk po paguhet vetëm nga Irani apo vendet e Gjirit, por nga e gjithë bota.
“Për sa kohë që nyja në Ngushticën e Hormuzit nuk zgjidhet, çmimet e naftës do të vazhdojnë të rriten. Lufta e nisur nga provokimet e Izraelit nuk po paguhet vetëm nga populli iranian apo vendet e Gjirit, por nga të gjithë”, u shpreh presidenti turk.
Gjatë fjalës së tij, Erdogan theksoi se Turqia nuk është kundër asnjë vendi, populli apo feje, por shtoi se Ankaraja do të vazhdojë të kundërshtojë çdo shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe çdo përpjekje që, sipas tij, rrezikon stabilitetin e rajonit. Ai deklaroi se Turqia do të vijojë të forcojë bashkëpunimin me partnerët e saj dhe nuk do të heqë dorë nga politikat që i konsideron në interes të sigurisë kombëtare.

