Maqedoni

ASH: Spasovski po e lufton gjuhën shqipe!

Shpërndaje

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar në lidhje me deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ku tha se gjuha shqipe nuk do të përdoret në nivel qendror. Nga ASH, thonë se sot Spasovski, rikonfirmoi se është një bashkëmendimtar i antishqiptarit Fërçkovski dhe shumë tjerëve në partinë ku bëjnë pjesë.

Reagimi i plotë:

Spasovski e lufton gjuhën shqipe, ku fshihen Bushi dhe Ahmeti!?

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sot e rikonfirmoi se është një bashkëmendimtar i antishqiptarit Fërçkovski dhe shumë tjerëve në partinë ku bëjnë pjesë. Me deklaratën e sotme kundër përdorimit të gjuhës shqipe në emblemat e njësitit “Tigrat”, Spasovski na tregoi se kush e ndalon edhe pjesmarrjen e shqiptarëve në këtë njësit.

Arsyetimet e llojit se qenkan në nivel qendror nuk mbajnë, sepse me këtë logjikë i bie se gjuhën shqipe do ta ndalojnë edhe në ministri, Kuvend e Qeveri. Vetë ministria ku bëjnë pjesë është më qendrore dhe më e lartë sesa njësiti “Тigrat”.

Sidoqoftë, Spasovski tregoi se kush vendos në këtë ministri dhe Qeveri dhe se zëvendësit të tij, Nazim Bushi, përsëri ia paska mbyllur gojën dhe ia ka ndaluar fjalën.

Kujtojmë se ndryshimet e Ligjit për përdorimin e gjuhëve u bënë për ta ngritur gjuhën shqipe në organe qendrore dhe jo për ta lokalizuar edhe më shumë për përdorim në çajtore me çka mburret tani e dy dekada kryetari i partisë në pushtet, Ali Ahmeti.

Aleanca për Shqiptarët rikujton Oliver Spasovskin se as njësiti “Тigrat” e as ministria që drejton nuk mund të sillen siç duan ata. Nëse i keni marrë peng funksionarët e BDI-së, mos mendoni se mund t’i nënçmoni dhe shkelni gjithë shqiptarët.