DAP Maqedoni: Do të vazhdojmë me kontrollet, ligji duhet të respektohet
Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) njoftoi se përfunduan kontrollet në terren në “KAM” dhe asnjë market nuk është mbyllur, deri në këtë moment nuk është shqiptuar asgjë gjobë ndaj këtij tatimpaguesi.
“Obligim ligjor i DAP-it është mbrojtja e interesit të qytetarëve dhe shtetit. Në këtë drejtim, pas raportimit të qytetarëve dhe institucioneve, DAP filloi me kontroll të jashtëm, konform ligjit për inspektimin e gjendjes së mallrave tregtar në depo dhe dyqane, me qëllim të konstatimit të gjendjes aktuale dhe krahasimit me evidencën e kontabilitetin. Me kontrollin fillestar dhe paraprak në terren, inspektorët konstatuan se një pjesë e objekteve të shitjes me pakicë, jo vetëm në marketin e lartpërmendur, por edhe në disa markete të tjera të zinxhirëve të mëdhenj, është llogaritur pesë përqindëshi i TVSH-së për produktet ushqimore bazë”, theksojnë nga DAP.
Një pjesë e marketeve, sipas Drejtorisë, kanë shitur vaj për ushqim, mish viçi të freskët, oriz dhe qumësht me tatimin e llogaritur të vlerës së shtuar që është në kundërshtim me vendimin e Qeverisë dhe ndryshimet në ligjin për tatimin e vlerës së shtuar.
“Pa përzgjedhje dhe përmes kontrolleve të jashtme të kryera nga inspektorët e DAP-it, të gjithë tatimpaguesit kontrollohen për të gjithë operacionin për periudhën e caktuar, gjegjësisht, kontrollohet shprehja e saktë e të ardhurave dhe shpenzimeve nga funksionimi i tatimpaguesve, të cilët kanë treguar lëshime në lidhje me aplikimin e shkallës tatimore, pra duke ulur TVSH-në nga 5 në 0 për qind. Inspektorët veprojnë sipas denoncimeve të qytetarëve dhe bëjnë inspektim dhe kontroll kudo që tashmë ka pasur indikacione dhe dyshime se ka indikacione për mos respektim të ligjeve në punë”, thonë nga DAP.
Drejtoria paralajmëron se do të vazhdojë me kontrolle të vazhdueshme në terren me qëllim të mbrojtjes së standardit të qytetarëve.
“Qëllimi i kontrolleve nuk është dënimi, por vënia në dukje e të gjithë tatimpaguesve se ligji duhet respektuar. DAP dhe inspektorët nuk e njohin dallimin politik, as fetar e as kombëtar. Kontrollet kryhen ekskluzivisht dhe vetëm për të respektuar ligjet dhe për të mbrojtur standardin e qytetarëve. Drejtoria për të Ardhura Publike përmes instrumenteve dhe kompetencave të saj do të vazhdojë të kontrollojë keqpërdorimet e mundshme nga ana e tatimpaguesve dhe të parandalojë dëmtimin e mundshëm të qytetarëve apo buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, përfundojnë nga DAP.