Edhe nesër mbrojtja e Gucatit do të vazhdojë me deklaratën përmbyllëse
Mbrojtja e Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka asnjë provë nëse ndonjëri nga dëshmitarët e kësaj zyre është kërcënuar apo ndjerë i frikësuar.
Rees ka paraqitur deklaratën përmbyllëse të mbrojtjes gjatë së cilës ka theksuar se ish-krerët e shoqatave të dala nga lufta, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, nuk kanë synuar publikimin e emrave të dëshmitarëve të mundshëm të përmendur në dokumentet që ata i posedonin.
Avokat i Gucatit do të vazhdojë me deklaratën përfundimtare edhe në seancën e nesërme para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
“ZPS nuk është se ka marrë prova nga dëshmitë e dëshmitarëve të tyre sa i takon pasojave të tyre që janë prodhuar nga fjala apo veprimi i zotit Gucati, ose nuk ka asnjë provë të pranueshme që ndonjëri prej këtyre 14 personave është kërcënuar, është ndjerë i kërcënuar, është dëmtuar apo është ndjerë i dëmtuar, është frikësuar, është ndjerë i frikësuar apo është kërcënuar në formë tjetër, nuk kemi absolutisht asnjë lloje prove të pranueshme për asnjërën prej tyre për asnjë prej dëshmitarëve”.
Rees ka përsëritur se kundërshtimi i Gucatit për Gjykatën Speciale bazohej në shqetësimin se nuk po hetohen të gjitha krimet e luftës në Kosovë.
Mbrojtja do të vazhdojë me deklaratën e saj përmbyllëse edhe në seancën që do të mbahet nesër.
Deklaratat përmbyllëse po dëgjohen pasi kanë përfunduar paraqitjet e provave dhe dëshmitarëve nga të dy palët.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarjeje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.