Rajoni

Gazetari britanik: Telefoni më shpëtoi nga plumbi i forcave serbe në Prekaz

Shpërndaje

Gazetari britanik Vaughan Smith, i cili gjatë luftës në Kosovë xhiroi sulmin në Prekaz dhe kufomat e të vrarëve, thotë se kishte arritur t’i shpëtonte një plumbi falë telefonit që e mbante me vete.Ai në emisionin “Kallxo Përnime” theksoi se kur kishin arritur afër Prekazit kishin vërejtur izolimin që kishin bërë serbët, në mënyrë që askush mos të hynte.“Me gjithë mjetet e rënda arritëm në pikën ku mund të shihnim qartë tymin dhe ishim rreth gjysmë kilometër larg nga Prekazi, pamë që serbët e kishin rrethuar dhe po bënin atë që në terma ushtarakë ne e quajmë kordon, po e izolonin Prekazin në mënyrë që askush të mos mund të hynte. Problemi ynë ishte se si mund të bënim ndonjë foto dhe xhirim, gjithçka që mund të shihnim ishte kordoni serb”, ka thënë Smith.

Ai tha se kishin arritur të depërtojnë në afërsi duke u zvarritur në një fushë të hapur.“Atje nuk ishte një kordon i zhvilluar mirë, nuk ishte një kordon shumë profesional dhe më pas ishte një fushë e hapur, ne arritëm të zvarritemi përgjatë anës së fushës dhe të mos shiheshim kështu që u futëm brenda kordonit serb dhe pastaj u ngjitëm në këtë kodër pa u parë, por shkova vetëm, i lashë të tjerët sepse e dija që ishim shumë të rrezikuar dhe vazhdova në shpatin përpara ku mund të shihja në të vërtetë se çfarë po ndodhte”, shtoi tutje Smith.Sipas tij, teksa po iknin pasi kishte marrë pamjet, forcat kishin shtënë në drejtim të tyre, ku një plumb e kishte goditur në trup.“Duhet të kishim ikur pak më ngadalë, por gabimi është që gjithmonë (kur e kryen xhirimin) dëshiron të ikësh shpejt. Por, ne u pamë dhe një karikator i tërë Kallashnikovi prej 30 fishekësh u derdh në drejtimin tonë në tre breshëri”, ka thënë Smith.Ai tha se vetëm pasi ishin larguar kishte kontrolluar veten ku edhe ka vërejtur se plumbi kishte ngecur në baterinë e telefonit që kishte me vete.“Në këtë breshëri plumbash diçka më goditi në krah, më goditi anash. Unë e dija që isha goditur por dukesha në rregull dhe kështu vazhduam. E kontrollova veten, nuk kisha shumë dhimbje por telefoni im, kishte një plumb në të (pra plumbi ishte ndalur në bateri të telefonit)”, ka thënë Smith.