Glauk Konjufca: Projektkodi Civil nuk lejon martesat e gjinisë së njëjtë

Shpërndaje

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Projektkodi Civil nuk e lejon martesën e gjinive të njëjta.

Këtë deklaratë Konjufca e ka bërë gjatë seancës së Kuvendit të mërkurën, ku po diskutohet për miratimin e këtij Projektkodi.

“Projektkodi Civil nuk e lejon martesën e gjinive të njëjta. Askund në Kod Civil nuk është e lejueshme martesa mes gjinive të njëjta”, ka thënë Konjufca si kundërpërgjigje ndaj deputetëve që deklaruan se janë kundër martesës së gjinive të njëjta.

“A e dini dallimin mes martesës dhe bashkësisë civile”, ka shtuar Konjufca.

Diskutimi për Projektkodin Civil, i cili ka nisur në seancën e Kuvendit të Kosovës pas prezantimit të shkurtër të materies së këtij Projektkodi nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po përcillet me debate nga deputetët e Kuvendit.

Debati është përqendruar te materia e Projektkodin Civil që definon martesën ndërmjet personave me gjini të ndryshme, si dhe në veçanti për Nenin 1138, paragrafi 2, i cili parasheh “bashkësitë e regjistruara civile me seks të njëjtë”.

Ky është leximi i parë Projektkodit Civil në Kuvendin e Kosovës.

Në Projektkodin Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Por, në nenin e radhës thuhet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Në Projektkodin Civil nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”. Por, megjithatë, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.