Kurti: Më ngjanë që të gjithë ne të gjallët jemi fëmijë Adem Jashari

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në akademinë përkujtimore për nder të Epopesë së UÇK-së, tha se shpeshherë i ngjanë që të gjithë të gjallët sot, janë fëmijë të kryekomandantit Adem Jashari.

Kryeministri Albin Kurti në fjalimin e tij kujtoi sakrificën dhe luftën e dinjitetshme të Jasharëve kundër agresorit serb. Ai ka thënë se universitetet dhe akademitë kosovare duhet të kenë monumentet e dëshmorëve, si dhe siç thotë ai për ta duhet mësuar dhe studiuar nëpër shkollat e vendit.

“Në akademinë tonë, nëpër universitetet dhe institutet tona duhet të kemi momentet e dëshmorëve dhe jo vetëm monumentet e dëshmorëve nëpër sheshet tona. Asisoj dëshmorët do t’i shërbejnë kuptimit akademik, politik, historik dhe jo të vendosen në shërbim të karrierave personale. Dëshmori është i përjetshëm dhe i pavdekshëm. Aty ku prodhohet dhe kultivohet dija duhet studiuar dhe mësuar dëshmori, në shkollat tona, në universitet tona. Përjetësia dhe pavdekësia e dëshmorit nga bronzi që shihet publikisht duhet të ngrihet edhe në tekste. Duhet të kërkohet që vlerat dëshmorë të integrohen në shoqërinë tonë.. Sigurisht që është një detyrë për shumë njerëz, për shumë profile të studimit dhe të akademive, profesorët e shkencave humane, filozofi, politikë, psikologji dhe sidomos histori edhe filozofi janë punonjësit më publik të shtetit dhe të kombit, andaj ata duhet të marrin përsipër të nxjerrin në pah, në formë ligjërimi dhe fraze të folur dhe të shkruar të një qëllimi që më shumë se një shekull i shtyu shumë shqiptarë të shkojnë luftëtarë dhe të kthehen dëshmorë”, tha Kurti.

Një fjalë rasti mbajti edhe anëtari i familjes Jashari, Rifat Jashari, i cili falënderoi të pranishmit që morën pjesë në këtë akademi për të përkujtuar familjarët e tij të rënë për çlirimin e vendit.