Një gurore rifillon punën në Llabunishtë! Banorët kërkojnë të ndalet, që të mos ua ndotë mjedisin
Revolta e llabunishtasve para dy vitesh, ndërpreu punën e guroreve në këtë fshat afër Strugës. Menduan se problemin e tyre e zgjidhën njëherë e mirë, por para dy javësh një gurore nisi sërish të funksionojë.
Të habitur nga fillimi i menjëhershëm i punës dhe pa konsultimin e tyre, banorët kërkojnë që e njëjta ta ndërpresë veprimtarinë e saj sepse po dëmton fshatin dhe nuk i sjellë asnjë të mirë.
“Labunishtasit të gjithë së bashku menduam se me guroret e zgjidhëm problemin njëherë e përgjithmonë dhe tani e njëjta po përsëritet. Nga këtu kërkojmë dhe po habitemi me institucionet në vendin tonë dhe duam të dimë cili është motivi që gurorja e njëjtë të fillojë me punë? A është legale, a është jo legale nuk kemi asnjë informacion vetëm e dimë se në terren po zhvillohen aktivitete. (ngjitje) Kërkesat e organizatës sonë dhe bashkësisë lokale është që këto gurore të mos jenë më, njëherë e përgjithmonë”, thotë Alim Salloski, kryetar i Organizatës “Natura lab”.
Banorët thonë se që nga 2020-ta kur u ndërpre puna e guroreve, fshati filloi të lulëzojë dhe filluan t’i punojnë dhe mbjellin tokat. Shprehen edhe se për këto 2 vjet u kanë pushuar veshët nga shpërthimet e eksplozivëve që u dëmtonin shtëpitë.
“Ishte shumë qetësi, u kthye gjelbërimi, njerëzit filluan ta punojnë tokën, filluan të ndërtohen shtëpi atje ku po punonin guroret, kështu që ne si organizatë ekologjike mundohemi që ta mbajmë të pastër ambientin”.
Në Labunishtë kanë qenë 6 gurore funksionale dhe 3 ishin gati për t’u hapur. Ajo që i jep dhe merr koncesionit është Ministria e Ekonomisë. Para dy vitesh Qeveria në mënyrë të njëanshme i ndërpreu kontratat për guroret në Llabunishtë. I pyetur nga TV21 se pse njëra rifilloi me punë, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se Gjykata Administrative ka marrë vendim për kthim në procedurë paraprake.
“Sa për informim të opinionit dhe informatat të cilat i ka Ministria e Ekonomisë ka qenë vendim i Gjykatës Administrative që pikërisht një nga guroret të cilat kanë qenë të marra nga ana e qeverisë dhe ministrisë se ekonomisë të kthehet në procedurën paraprake. Jemi pushtete të ndara, gjyqësori, pushteti qendrorë dhe pushteti lokal”, tha Bekteshi.
Në fakt, Gjykata Administrative ka dhënë vendim se ajo nuk është kompetente për të vendosur mbi këtë çështje. Këtë ia ka konfirmuar edhe Gjykata e Lartë Administrative.
“Gjykata Administrative në vendimin e ankimuar, në mënyrë të drejtë ka vërtetuar se në rastin konkret bëhet fjalë për kontest për të cilin parashihet mbrojtje tjetër gjyqësore jashtë kontestit administrativ, respektivisht bëhet fjalë për kompetencë vetëm të Gjykatës Civile Themelore Shkup, e cila në proces gjyqësor do të përcaktojë marrëdhënien juridike që rrjedh nga anulimi i kontratës, vetë vendimin, si dhe dëmin eventual të shkaktuar nga prishja e marrëveshjes”, njoftojnë nga Gjykata.
Llabunishta ka rreth 10 mijë banorë. Dy vite më parë ata nëpërmjet një peticioni të nënshkruar nga 3000 persona dhe nëpërmjet protestave e ndaluan punën e guroreve, ndërsa paralajmërojnë se as kësaj radhe nuk do të rrinë duarkryq. Kërkojnë që Inspektorati i Mjedisit Jetësor në Strugë të dalë në terren dhe të merren masa, në ndërkohë presin që të takohen edhe me ministrin Kreshnik Bekteshi.