Sela: Teuta Arifi të mbajë përgjegjësi për 800 kontratat para se të bëhet ambasadore
Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela, e ka quajtur skandaloz propozimin e Qeverisë që ish kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi të emërohet ambasadore në Bashkimin Evropian, shkruan gazeta LAJM.
“Zonja Teuta Arifi, kishte bërë 800 kontrata për njerëzit që rrijnë në shpi dhe që janë paguar ose edhe ndoshta s’janë paguar, por kanë përfunduar diku tjetër ato para, për njerëz që nuk janë këtu brenda. Një fakt të tillë zonja në fjalë e pranoi edhe vetë dhe tha që të gjithë kështu punojnë. Unë akoma nuk shoh ndonjë institucion të hape një lëndë apo ta marrë në pyetje për punën që ajo ka punuar. Në një shtet ku shpërblehen ato që duhet të përfundojnë në burg dhe të pafajshmive ju montohen procese politike, pastaj ndodhin këto fenomene që i përmenda më herët. Akoma më skandaloze tjera, drejtori i sigurimit shtetëror, përgjegjës për kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut të shpërblehet me një post ambasadori. Por kur diplomacia bëhet pazarllëk, kur bëhet marrëveshje tregtare për të ruajtur shumicën këtu në parlament, unë nuk shoh që mund të ketë zgjidhje tjetër dhe nuk duhet të habitemi me këto emra që janë skandaloz dhe propozohen për ambasador”, tha Sela.