Abazoviç: Jemi afër formimit të qeverisë së re të Malit të Zi

Shpërndaje

Mandatari për formimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Dritan Abazoviç tha se është afër zgjidhjes dhe prezantimit të qeverisë së 43-të të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai tha se ka pasur një sërë bisedash dhe se një të tillë e ka pasur edhe sot në mëngjes.

“Jemi afër zgjidhjes dhe prezantimit të qeverisë së re. Po përpiqem të gjej një lloj përfshirjeje dhe kompromisi që nuk i përshtatet gjithmonë të gjithëve, por dua të promovoj një politikë kompromisi”, u tha Abazoviç gazetarëve pas konferencës “Rrjeti i dezinformimit: Demokracia e Vjedhur”.

Abazoviç potencoi se kur mori mandatin për formimin e qeverisë së pakicës tha se i duheshin 14 ditë dhe se pas kësaj ishte gati.

“Kjo është, nuk mund të jem kompetent për veprimet e partive politike në parlament. Për sa më përket mua, nesër mund të mbajmë seancën”, tha Abazoviç.

Ai është i mendimit se të gjitha subjektet politike kanë taktizuar për shkak të zgjedhjeve në Berane dhe Ulqin.

“Edhe tani ka taktizime pse nuk jam i përfaqësuar kaq shumë, a mund të fitoj edhe një vend, a duhet dikush të të jetë pjesë e qeverisë. Mandatari e ka kryer punën e tij dhe pres që subjektet politike që duan të mbështesin qeverinë e pakicës të marrin një vendim përfundimtar”, tha Abazoviç.

Abazoviç theksoi se për 14 ditë e ka përfunduar punën si mandatar për përbërjen e qeverisë.

“Shpresoj se Mali i Zi do të ketë një qeveri shumë shpejt, gjithçka tjetër do të ishte joserioze dhe në dëm të qytetarëve”, tha Abazoviç.

Sipas tij, është e vërtetë se situata në Ukrainë ka ndryshuar pak kontekstin, por më e rëndësishmja është ruajtja e mbështetjes ndërkombëtare.

“Nëse kjo nënkupton se na duhet një konsensus pak më i gjerë se ai i planifikuar, unë jam pro”, tha Abazoviç.

Ai shtoi se nuk do të ishte në dëm të asnjë partneri tjetër, madje as Partisë Popullore Socialiste.

“Unë mendoj se koncepti që u paraqita atyre është i saktë dhe i drejtë. Gjëja më e rëndësishme është të mos humbasim këtë mbështetje”, tha Abazoviç duke shtuar se sa i përket partive tjera që kanë paralajmëruar mbështetje, por kanë dilemë apo turbulenca të brendshme, kjo nuk e rëndon.

Abazoviç theksoi se dëshiron që qeveria e 43-të e Malit të Zi të ketë mbështetjen ndërkombëtare dhe se është i bindur se kjo mund të arrihet.