Bota

TAP “shpëton” Evropën, transporton 10 miliardë metër kub gaz natyror

Shpërndaje

Evropa ka shanse të shpëtojë nga kriza për gaz natyror pasi është përballur me rezervat të ulëta dhe çmime të larta. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) njofton se një total prej 10 miliardë metër kub (bcm) gaz natyror nga Azerbajxhani tashmë ka hyrë në Evropë nëpërmjet pikës së ndërlidhjes së Kipoit, në kufirin greko-turk, ku TAP lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP). Nga këto 10 miliardë metra kub, afërsisht 8.5 janë dorëzuar në Itali.

Drejtor Menaxhues i TAP Luca Schieppati u shpreh se:“10 miliardë metra kub është një moment historik simbolik, por i rëndësishëm. Pak më shumë se një vit pas fillimit të operacioneve tregtare, ne kemi ofruar shërbime efikase, të besueshme dhe të vazhdueshme transporti për transportuesit tanë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sigurinë energjetike të Evropës dhe diversifikimin e furnizimit. Aktualisht jemi në gjendje të arrijmë kapacitetin e plotë të transportit prej 10 miliardë metra kub në vit. Për më tepër, ne mund të shtojmë kapacitete të tjera përmes ankandeve afatshkurtra”.

Pas fillimit të operacioneve komerciale në 15 nëntor 2020, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) dërgoi sasinë e parë të gazit në Greqi dhe Bullgari, përmes pikës së interkonjeksionit të Nea Mesimvrias me DESFA-n, si edhe në Itali, përmes pikës së interkonjeksionit të Melendunjos me SNAM Rete Gas (SRG).