Bota

Turqia: Sot ishte përparimi më domethënës në bisedimet Ukrainë-Rusi, pritet takimi mes Putin dhe Zelensky

Shpërndaje

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se është arritur konsensusi dhe mirëkuptimi i përbashkët midis delegacioneve ukrainase dhe ruse për disa çështje gjatë bisedimeve në Stamboll të martën.

Në një konferencë për medie pas takimit, Cavusoglu, ka thënë se sot është bërë përparimi më domethënës në bisedime, raporton CNN – transmeton Gazeta Sinjali.

Ai përshëndeti përparimin e bërë veçanërisht në “prioritetin kryesor të arritjes së një armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur për të hapur rrugën për një zgjidhje të përhershme politike”.

Cavusoglu tha se çështjet më të ndërlikuara tani do të diskutohen në nivele më të larta, me një takim midis ministrave të Jashtëm rus dhe ukrainas për të bërë rregullimet përfundimtare në qasjen e përbashkët.

“Pas kësaj, një takim midis presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky është në rendin e ditës”, tha ai.

Ndryshe, delegacioni rus në bisedimet Rusi-Ukrainë në Stamboll njoftoi dy hapa për të de-përshkallëzuar konfliktin ndaj Ukrainës pas ditës së parë të bisedimeve, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA-Novosti.

RIA, duke cituar delegacionin rus, tha se hapat përfshinin një “reduktim drastik të aktivitetit ushtarak në drejtimet e Kievit dhe Chernihiv” dhe gjithashtu mundësinë e një takimi midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, njëkohësisht me fillimin e paqes.

Ndërkohë, këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, tha se është bërë mjaft përparim gjatë bisedimeve midis delegacioneve ruse dhe ukrainase të martën në Stamboll për të lejuar takimin e Putinit dhe Zelenskyt. Duke folur në Stamboll pas bisedimeve të përfunduara midis dy palëve të martën, Podolyak tha se tani kishte një “gjasë” që të dy presidentët mund të takohen.