Vëllezërit Klitschko në listën e zezë prej 23 personash të Vladimir Putinit
Është raportuar se Rusia i ka dërguar 400 mercenarë në Kiev për ta vrarë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe anëtarët e qeverisë së tij, në mënyrë që të dobësojë armiqtë e Vladimir Putin dhe të bëjë një tranzicion të menjëhershëm në rast se ata marrin kryeqytetin e Ukrainës.
Presidenti rus ka urdhëruar pushtimin e vendit fqinj të enjten në mëngjes, kur i nisi sulmet ushtarake në qytete të ndryshme të Ukrainës, përfshirë edhe Kievin.
Sipas The Times – transmeton Marca – Putin ka përpiluar një listë të zezë me 23 persona, e cila përfshin legjendat e boksit, vëllezërit Klitschko.
Vitali Klitschko është kryetar i bashkisë së Kievit që nga viti 2014, ndërsa Wladimir Klitschko, i cili është rekrutuar në ushtrinë e vendit të tij, ka qenë këto ditë përkrah vëllait të tij.
Boksierët legjendarë janë duke përfituar nga popullariteti i tyre për të bërë përpjekje dhe për të kërkuar ndihmë në mbarë botën, si publikisht ashtu edhe privatisht. Dy ish-kampionët e botës në peshat e rënda kanë mbajtur armë prej ditësh, ndërsa ngjashëm kanë vepruar edhe boksierët tjerë të njohur, si Vasiliy Lomachenko dhe Oleksandr Usyk.
Është thënë se Putin ka sjellë mercenarë nga Afrika me mision për ta rrëzuar qeverinë Zelenskiyt në këmbim të një shume të majme parash.
Qeveria ukrainase u informua për këtë mision të shtunën në mëngjes dhe, disa orë më vonë, Kievi shpalli një shtetrrethim 36-orësh në një përpjekje që të pastronte qytetin dhe për t’i kërkuar këta mercenarë.