Zelensky: Mos heshtni – sepse nëse Ukraina nuk mbijeton, e gjithë Evropa nuk do të mbijetojë

Shpërndaje

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur një fjalim me video për protestuesit kundër luftës në disa qytete evropiane.

Ai filloi duke i kushtuar dy momente të veçanta heshtjeje – për ushtarët dhe civilët e rënë në konflikt.

Duke kërkuar mbështetjen për kauzën ukrainase, ai u kërkoi evropianëve të dalin në rrugë dhe të mbështesin Ukrainën, përcjell Telegrafi.

“Nëse Ukraina nuk do të mbijetojë, Evropa nuk do të mbijetojë, gjithashtu. Nëse ne rrëzohemi, ju do të rrëzoheni. Prandaj ju lutemi mos heshtni. Mos i mbyllni sytë ndaj kësaj”, tha ai.

“Dhe nëse fitojmë dhe jam i sigurt se do të fitojmë, kjo do të jetë fitorja e gjithë botës demokratike, kjo do të jetë fitorja e lirisë sonë, kjo do të jetë fitorja e dritës mbi errësirën, e lirisë mbi skllavërinë”.

“Dhe nëse fitojmë do të bëhemi po aq të lulëzuar sa Evropa. Dhe Evropa do të lulëzojë më shumë se kurrë”, tha ai. “Të gjithë ju jeni ukrainas sot, faleminderit për këtë”.

Ndryshe, një kërkesë në drejtim të evropianëve, Zelensky e ka bërë edhe në orët e hershme të mëngjesit.

Presidenti i Ukrainës ka kërkuar “veprim të menjëhershëm” nga bota mes sulmeve ruse në centralin më të madh bërthamor të Evropës.

Duke kujtuar “katastrofën globale” në Çernobil në vitin 1986, ai paralajmëroi se pasojat e një “shkrirjeje” në Zaporizhzhia do të ishin shumë më të këqija.

“Evropianë, zgjohuni ju lutem. Thuajuni politikanëve tuaj se forcat ruse po qëllojnë në centralin bërthamor në Ukrainë”, u lut ai.