“Air Albania”, nis fluturimet drejt Zvicrës
Të shtunën, më 9 prill ka nisur zyrtarisht fluturimet linja e re e “Air Albania”, nga Kukësi për në Bazel të Zvicrës dhe anasjelltas, bëhet e ditur në një njoftim për media nga Ambasada e Shqipërisë në Bernë.
Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, morën pjesë Ambasadori i RSH në Zvicër, Ilir Gjoni, CEO i “Air Albania”, Sinan Dilek, Drejtoresha e Marketingut të Aeroportit të Bazelit, Monica Linder-Guarnaccia dhe Ridgers Mema, Drejtor Menaxhues në Aeroportin e Kukësit.
“Air Albania” po shton numrin e fluturimeve drejt shumë destinacioneve europiane, kësaj here mes Kukësit dhe Bazelit, mes të cilëve do të ketë fluturime dy herë në javë, shkruan albinfo.ch. Kjo është një mundësi e madhe për qarkullimin dhe shkëmbimet mes dy vendeve, por në mënyrë të veçantë për diasporën shqiptare sidomos atë në Zvicër por dhe Francë e Gjermani duke qenë se Aeroporti i Mulhouse është një aeroport i përbashkët për të tria këto shtete.
Vendosja e kësaj linje në fillim të sezonit turistik pa dyshim që do t`i japë një impuls të ri shtimit të numrit të vizitorëve zviceranë që kalojnë pushimet në Shqipëri.