BE-ja, garanci për të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut

Shpërndaje

Sipas eurodeputetit dhe raportuesit bullgar për Maqedoninë, Ilhan Kuçuk, të drejtat e bullgarëve në vend janë çështja bazë që duhet zgjidhur mes Shkupit dhe Sofjes, në mënyrë që të zhbllokohet procesi euro-integrues i vendit. Në një intervistë për mediat bullgare, ai tha se garancitë për këto të drejta mbi të gjitha duhet të jepen nga Komisioni Evropian, shkruan Alsat.

“Nëse këtu gjendet një zgjidhje evropiane, vetë Komisioni Evropian të na japë garanci për monitorimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, mendoj se është një bazë e mjaftueshme për të ecur përpara, gjegjësisht për të hequr veton. BE duhet të japë garanci se ekziston një mekanizëm për monitorimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, i cili do të kishte tregues të qartë”, tha Ilhan Kuçuk – eurodeputet bullgar

Më herët kryeministri bullgar Kiril Petkov theksoi se të drejtat e bullgarëve në vend do të mbrohen nëse ato bëhen pjesë e Kushtetutës. Ai kërkoi që ky kusht të jetë pjesë e negociatave dhe të plotësohet me hapjen e klasterit të parë të negociatave, që do të garantohej nga Brukseli.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, në intervistë për emisionin “360 Gradë”, nuk u përgjigj nëse dhe cilat nga kërkesat bullgare, përfshirë futjen e bullgarëve në Kushtetutë, mund të jenë pjesë e kornizës negociuese. Ai theksoi se tekstin e kornizës duhet ta përgatisë Brukseli, e pastaj, nëse ka pëlqim, ai tekst të miratohet në Kuvendin e Maqedonisë.

Mariçiq konfirmoi se Shkupi është i përkushtuar që Kushtetutën ta hapë në fund të negociatave dhe jo para fillimit të tyre.

“Pjesa e Protokollit që ka të bëjë me Kushtetutën, ne e kemi thënë qartë se për nga përmbajtja nuk kemi problem që ndonjë komunitet të inkorporohet në Kushtetutë, sepse tashmë kemi më shumë komunitete dhe ky është koncepti ynë. Megjithatë, ne konsiderojmë se para fillimit të negociatave nuk është as e dobishme dhe as e mundur, sepse ne tashmë e kemi ndryshuar një herë Kushtetutën dhe nuk konsiderojmë se duhet të jetë parakusht për fillimin e negociatave”, tha Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane

Nga VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, deklaruan se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese pa garanci paraprake me shkrim për gjuhën dhe historinë maqedonase.

“Kërkesat që ka Bullgaria janë nën çdo dinjitet kombëtar dhe nuk mendoj se duhet diskutuar për veçantinë e popullit maqedonas apo veçantinë e gjuhës maqedonase”, tha Aleksandar Nikolovski – Nënkryetar i VMRO-DPMNE

I pyetur për garancitë me shkrim të kërkuara nga opozita, zëvendëskryeministri Mariçiq tha se qeveria në bisedime tashmë udhëhiqet nga Deklarata e miratuar nga Kuvendi, e cila konfirmon veçantinë e popullit dhe gjuhës maqedonase. /Alsat.mk