Diplomacia intensive e presidentit Erdogan për Palestinën
Për përfundimin e sulmeve të Izraelit në Palestinë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin e Palestinës, Mahmoud Abbas, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, mbretin e Jordanisë Abdullah II dhe presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Erdoğan ka zhvilluar një fushatë intensive diplomatike me qëllim ndalimin e sulmeve në Xhaminë Al-Aksa dhe në qytetin e Kudsit nën pushtimin e Izraelit.
Në kuadër të kësaj fillimisht Erdoğan më 17 prill zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin palestinez Mahmoud Abbas. Në këtë bisedë duke theksuar se muajin e Ramazanit po e kalojnë në mënyrë të pikëlluar për shkak të ngjarjeve në Palestinë, kryesisht ato në Kuds, Erdoğan uroi mëshirën e Allahut mbi personat që kanë humbur jetën dhe shërim për personat e plagosur në sulmet e Izraelit.
Duke dënuar fuqimisht ndërhyrjen e Izraelit ndaj personave që bëjnë adhurim në Xhaminë Al-Aksa, Erdoğan i ka thënë Abbas-it se do të qëndrojnë përballë provokimeve dhe kërcënimeve ndaj statusit dhe situatës spirituale të Xhamisë Al-Aksa.
“Turqia ndodhet gjithmonë pranë Palestinës”, ka potencuar Erdoğan, i cili pasi ka bërë të ditur se ngjarjet e përjetuara rikujtojnë domosdoshmërinë që të gjitha grupet palestineze të punojnë drejt unitetit dhe pajtimit, tha se presidentit Abbas i ka përcjellë mirënjohjen për sugjerimet e tij për maturi si dhe për udhëheqjen e tij të kujdesshme në drejtim të unitetit.
– “Ndërhyrjet e Izraelit ndaj Xhamisë Al-Aksa janë të papranueshme”
Presidenti Erdoğan në të njëjtën ditë zhvilloi një bisedë telefonike edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Në një postim nga llogaritë e tij në median sociale lidhur me bisedën në të cilën u diskutuan ngjarjet e përjetuara në Kuds, Erdoğan tha: “I kam thënë se dënojmë në mënyrë të fuqishme dhe i shohim të papranueshme përjetimet si pasojë e ndërhyrjeve dhe provokimeve të Izraelit ndaj Xhamisë Al-Aksa. Me Guterresin vlerësuam hapat e përbashkët që mund të ndërmerren për të arritur paqen në rajon”.
Presidenti Erdoğan më 18 prill zhvilloi një bisedë telefonike edhe me mbretin e Jordanisë, Abdullah II në të cilën vuri theksin se ngjarjet në Palestinë me ndërhyrjen e Izraelit në muajin e Ramazanit shkaktuan shqetësim dhe pikëllim.
Ai njoftoi se me mbretin e Jordanisë, Abdullah II kanë rënë dakord për të qëndruar në bashkëpunim të ngushtë si Turqi dhe Jordani për hapat që do të ndërmerren për arritjen e paqes në rajon.
– Biseda telefonike me Herzogun
Dje presidenti Erdoğan zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog.
Në bisedën me Herzogun, presidenti Erdoğan tha se kanë diskutuar mbi çështjet rajonale dhe marrëdhëniet dypalëshe, kryesisht ngjarjet e shkaktuara ditët e fundit në Palestinë nga forcat e sigurisë dhe disa grupe radikale izraelite.
Duke theksuar se janë pikëlluar pasi më shumë se 400 palestinezë janë plagosur dhe 18 të tjerë, përfshirë fëmijë që kanë humbur jetën në ngjarjet e ndodhura në Bregun Perëndimor dhe në Xhaminë Al-Aksa që nga fillimi i Ramazanit, Erdoğan deklaroi:
“Pikëllimi ynë u shtua nga fakti që Xhamia Al-Aksa u bastis dje dhe një ditë para saj nga grupet fanatike pas namazit të sabahut (mëngjesit), nga përjetimi sërish i pamjeve të padëshiruara si rezultat i ndërhyrjeve dhe tensioneve në Gaza. Derisa festat e Bajrameve duhet të përjetohen në atmosfera festash, këto pamje me të cilat përballemi çdo vit për shkak të disa radikalëve, na plagosin ndërgjegjen dhe shkaktojnë reagime të drejta në të gjithë botën islame”.
Presidenti Erdoğan tha se “Në këtë periudhë të ndjeshme, dëshiroj të theksoj edhe njëherë nevojën për të mos lejuar provokimet dhe kërcënimet kundër statusit dhe spiritualitetit të Xhamisë Al-Aksa. Përsëris thirrjen time që të gjithë duhet të tregojnë përpjekjen maksimale për të mbrojtur gjendjen shpirtërore dhe shenjtërinë e këtij vendi dhe ditëve të bekuara. Si Turqi ne do të vazhdojmë të punojmë në çdo rast drejt sigurimit të paqes dhe qetësisë”.